Politikania e CDU-së Julia Klöckner është Presidentja e re e Bundestagut. Në seancën konstituive të Bundestagut, deputetët e zgjodhën me shumicë dërrmuese 52-vjeçaren në postin e dytë më të lartë në shtet. Presidenti më i vjetër për nga vitet e shërbimit si deputet Gregor Gysi i sapozgjedhur, pas votimit ia dorëzoi kryesinë e seancës Klöcknerit.
52-vjeçarja mori 382 vota pro në një votim të fshehtë, 204 deputetë votuan kundër dhe 31 abstenuan. Koalicioni i mundshëm i ardhshëm qeverisës i CDU, CSU dhe SPD ka 328 vende në Bundestag.
Pas Annemarie Renger, Rita Süssmuthit dheparaardhëses së saj Bärbel Bas, Klöckner është gruaja e katërt që mban postin e dytë më të lartë në shtet.
Politikania e CDU tha se e shikonte zgjedhjen e saj si Presidente e Bundestagut si një detyrim dhe shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë ndaj saj. Ajo tha se donte t’i kryente detyrat e tij në mënyrë të paanshme, të qetë dhe me guxim.
“Demokracia jonë liberale nuk është diçka që duhet marrë si e mirëqenë,” tha Klöckner në fjalimin e saj të parë.Ajo jo vetëm që do të kujdeset që të respektohet koha e të folurit, por edhe do të dëgjojë, si në foltore ashtu edhe në sallë. Këtu ka një etalon matës, që është sjellja e hijshme. “Unë do të kujdesem që ne të ruajmë një bashkëpunim të civilizuar,” tha Klöckner.