Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu iu përgjigj Serbisë pas marrëveshjes ushtarake 3-palëshe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Ministri tha se marrëveshja mes tre vendeve është një iniciativë e hapur dhe ftoi edhe Serbinë që të behej pjesë e saj.
“Shqipëria si vend amë ka përgjegjësi përtej shqiptarëve të Kosovës, por edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë. Marrëveshja jonë ka parime shumë të qarta. Bazohet mbi kompasin dhe prioritetet strategjike të BE në rajon, mbi prioritetet strategjike të NATO-s në rajon dhe është thjeshtë një kërkesë për më shumë vëmendje të të dyja këtyre entiteteve përsa i përket sigurisë në rajon, siç e lexon Kroacia, Shqipëria dhe Kosova.
E dyta ne kemi edhe elementë të tjerë në marrëveshje, që kanë të bëjnë me rigjenerimin e industrisë ushtarake në vendet tona. Jemi duke synuar mundësinë e prokurimit të përbashkët të mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve të mbrojtjes. Kjo pasi e gjithë Europa është në një situatë ku duhet të rrisim shpenzimet ushtarake për efekt të sigurisë kolektive.
Dhe ne nuk mund ta konsiderojmë të plotë mekanizmin e sigurisë kolektive, duke e lënë Kosovën mënjanë këtyre mekanizmave. Kjo është një iniciativë e hapur, që nëse vende të tjera të rajonit, përfshirë edhe Serbinë, kanë dëshirë që t’i atashohen këtij mekanizmi, patjetër që e kanë mundësinë që t’i atashohen këtij mekanizmi.
Më bën të kuptoj nga të gjitha këto lexime që kam parë dhe reagime të përfaqësuesve të ndryshëm në Serbi, që ata nuk e dëshirojnë një gjë të tillë, e paragjykojnë çdo bashkëpunim të palëve të tjera për vetëmbrojtjen e tyre dhe jo kundra Serbisë”, tha Vengu, te A2.