Deputetja Monika Kryemadhi nnë një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur për procesin e divorcit të saj me ish-presidentin Ilir Meta.
Kryemadhi shprehet se nuk do të marrë pjesë as në seancën tjetër të divorcit. Ajo ka treguar që marrëdhënia e tyre ishte ftohur që në 1 prill të vitit të kaluar dhe informacionin e divorcit e ka marr vesh nga mediat.
“Unë nuk do të marr pjesë as në seancën e radhës. Ai që e ka inicuar ai le ta komandojë si proces. Pjesa tjetër e marrëdhënies personale është një çështje që i takon familjes tonë. Nuk jam as e para as e fundit që i ndodh kjo gjë. Çështjet politiko-personale nuk dua t’i diskutojmë fare në aspektin emocional. Marrëdhënia ime është si një deputete.
Raporti është thyer më 1 prill të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë nuk kam pasur asnjë prononcim. Për mua kjo është e kaluar, vazhdoj të eci para për fëmijët e mi. Nuk e kam kërkuar asnjëherë arsyen e ndarjes. Informacionin e divorcit e kam parë në media.
Një gazetar më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që është bërë padia për ju ndërkohë që po shikoja ndeshjen Shqipëri – Francë. Nuk jemi ulur ta bisedojmë ndonjëherë dhe nuk kam asnjë shpjegim prej tij”, ka shprehur Kryemadhi.