Ditën e sotme Partia ‘Mundësia’ ka prezantuar kandidatët e saj për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.
Kreu i partisë Agron Shehaj në fjalën e tij u shpreh se nuk është koha për të pushuar, por për t’u angazhuar dhe folur me çdo shqiptar. Ai nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe këtë e sjell vetëm partia “Mundësia.
“Nuk është koha për të pushuar, është koha që të flasim me çdo shqiptar që ende nuk na ka dëgjuar sepse e vërteta është se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh. Dhe ky ndryshim nuk vjen vetë. Këtë ndryshim mund ta sjellim vetëm ne. E di që keni punuar shumë dhe ju jam shumë mirënjohës për këtë. Ne nuk jemi këtu për të bërë pushim, por për të luftuar sepse kjo është përballja mes të vërtetës dhe gënjeshtrës.
Sot në këtë sallë jemi mbi 500 qytetarë dhe kjo është vetëm një provë e asaj që do të ndodhë në gjithë vendin. Shqiptarët po zgjohen dhe po kuptojnë se Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Sot do të prezantojmë kandidatët tanë. Janë njerëz të zakonshëm, por të jashtëzakonshëm në vullnetin e tyre për t’i shërbyer vendit dhe jo vetes. Na presin ditë shumë intensive, takime, por bashkë me vebndosmëri do ta çojmë këtë betejë deri në fund. E ardhmja nuk ndërtohet vetë. Ne do ta ndërtojmë hap pas hapi, qytet pas qyteti. Ky është projekti ynë”, u shpreh Shehaj.