Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka shpallur tarifat doganore prej 25% për makinat dhe pjesët e automjeteve që importohen në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ato nga Kanadaja dhe Meksika. Ky vendim është kundërshtuar nga Bashkimi Europian, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, që shprehu keqardhjen për këtë hap dhe tha se BE do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të negociuara, duke ruajtur interesat e saj ekonomike.
Von der Leyen theksoi se tarifat janë të dëmshme për bizneset dhe konsumatorët dhe se industria e automobilave është një shtytës për inovacion dhe konkurrencë.
“Industria e automobilave është një shtytës i inovacionit, konkurrencës dhe punëve me cilësi të lartë, përmes zinxhirëve të furnizimit të integruar në të dy anët e Atlantikut. Siç e kam thënë më parë, tarifat janë taksa të këqija për bizneset, më keq për konsumatorët njëlloj në SHBA dhe Bashkimin Evropian. Tashmë do ta vlerësojmë këtë njoftim, bashkë me masat e tjera që SHBA parashikon në ditët në vijim. BE-ja do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të negociuara, duke ruajtur interesat e saj ekonomike. Si një fuqi e madhe tregtare dhe një komunitet i fortë prej 27 shtetesh anëtare, ne do të mbrojmë së bashku punëtorët, bizneset dhe konsumatorët tanë në të gjithë Bashkimin tonë Evropian.”, thuhet në deklaratën e Von der Leyen.
Kjo masë ka rrezik të çojë në një përshkallëzim të luftës tregtare dhe ka pasur ndikim negativ në bursat, me ulje të indekseve të mëdha si Nasdaq dhe S&P 500.