Sali Berisha ka marrë pjesë në një iftar të shtruar për besimtarët myslimanë të degës 6 Kombinat, nga kandidati i opozitës për qarkun Tiranë, Akil Kraja.
Berisha theksoi rëndësinë e agjërimit si një akt fisnik që prek sakrificën. Ai shprehu mirënjohje për imamët dhe punën e tyre frymëzuese për besimtarët, duke theksuar rolin e xhamisë në bamirësinë ndaj shqiptarëve në nevojë.
“Mirëmbrëma dhe nderimin tim më të madh për të gjithë ju, të rinj, të reja, burra dhe gra që agjëroni muajin e Madhërueshëm të Ramazanit dhe lutjen time që Zoti t’ua pranojë këtë sakrificë. Zoti t’ua kthejë në mirësi secilit prej jush, familjeve tuaja dhe shqiptarëve në tërësi.
Një mirënjohje të veçantë për imamët, zëvendësmyftiun e Tiranës, miqtë e mi të kahershëm, dy imamët e pranishëm këtu, për punën e tyre frymëzuese, për shembullin e tyre frymëzues për besimtarët nga përsosja e shpirtit në sakrificën e tyre.
Dua të them se agjërimi është një akt madhor fisnik i njeriut. Është akt në të cilin çdonjëri prek sakrificën mbi të cilën ndërtohet e gjithë mirësia e jerëzimit dhe e njeriut. Në shqiptarët kemi një traditë e cila po rikthehet me shpejtësi, dhe kjo traditë e lidhur me shpirtmadhësinë, qendron me bamirësinë tonë.
Këtu po tregoni për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm të xhamisë dhe imamëve në bamirësinë ndaj shqiptarëve në nevojë. Uroj dhe shpresoj që të gjithë shqiptarët të frymëzohen nga kjo ndjenjë.”, shprehet Berisha.