Zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo në një deklaratë për mediat u shpreh se një kryeministër që blen pajisje përgjuese ka frikë nga populli i tij. Garo u shpreh se sapo Berisha të rikthehet në pushtet, qytetarët do të rimarrin të drejtat e tyre dhe privatësia do të mbrohet.
Ajo nënvizoi se askush nuk mund të mbyllë TikTok-un ose platformat e tjera pa një ligj të qartë. Garo i fton qytetarët që të ngrihen dhe të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të shpëtojnë demokracinë.
“Një kryeministër që blen dhe përdor Deep Packet Inspection (DPI) nuk është thjesht i pushtuar nga paranoja – ai është një njeri që ka frikë nga populli i tij. Kjo teknologji është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj privatësisë, lirisë së shprehjes dhe demokracisë.
Ju premtoj: Sapo Sali Berisha të rikthehet në pushtet, qytetarët do të rimarrin të drejtat e tyre. Privatësia juaj do të mbrohet.
Bisedat tuaja, të dhënat tuaja, liria juaj personale nuk do të përgjohet apo kontrollohet më kurrë nga një qeveri! Të drejtat qytetare janë të shenjta! Askush nuk ka të drejtë të mbyllë TikTok-un apo platformat e tjera pa një ligj të qartë, vetëm për t’ju përgjuar në fshehtësi më pas.
Zgjohuni, shqiptarë të dashur! Shqipëria jonë po fundoset çdo ditë e më thellë me këtë kryeministër. Është koha të ngrihemi, të mbrojmë të drejtat tona dhe të shpëtojmë demokracinë!”, tha Garo.