Sali Berisha teksa po shpaloste programin e Partisë Demokratike u shpreh se pas shkatërrimit të mjedisit qëndron Taulant Balla.
“Sot dihet po të shkosh nga Elbasani deri në Kolonjë, shikon kamionët me dru, Taulant Balla e kanë targën. A janë të gjitha të tij apo jo nuk e di, por atij i del emri, edhe në Kolonjë edhe në Librazhd. Pra këta bëhen më shumë sesa milionerë me shkatërrimin masive që i bëhet pyjeve”, tha Berisha.
Ai theksoi se projekti i Partisë Demokratike ka synim vendosjen e standarteve më të mira evropiane, për një mjedis më të shëndetshëm dhe të zhvilluar.
“Ndaj dhe projekti ynë ka një synim: vendosjen e standardeve më të mira evropiane në programin tonë. Standarde të cilat synojnë një mjedis të shëndetshëm, një mjedis të pastër, një mjedis të monitoruar, një mjedis të zhvilluar. Kompleksi mjedisor, faktorët që bashkëveprojnë në mjedisin, do të marrin të gjithë vëmendjen dhe angazhimin. Nuk ka dyshim se pyllëzimi real do jetë një drejtim qendror. Pyllëzimi do të gërshetohet me mbjelljen e drurëve frutorë. Por kjo nuk do të thotë se do hiqet dorë nga mbjellja e drurëve të tjerë nativë për zonat ku ato janë. U shkatërrua e tëra infrastruktura e mbrojtjes së pyjeve. U shkatërrua e tëra infrastruktura e kullotave. Rindërtimi i institucioneve të këtyre fushave, veprimtaria e tyre në përputhje me standardet evropiane, do jetë zotimi ynë para shqiptarëve”, u shpreh Berisha.