Italia do t’i dhurojë Shqipërisë një anije të tipit korvetë. Anija korvetë e klasit Cassiopea, që i ka shërbyer marinës ushtarake italiane do të mbërrijë në portin e Durrësit më 8 prill, në orën 09:00 të mëngjesit.
Në ceremoninë e dhurimit pritet të marrë pjesë edhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto. Ndërsa korveta pritet të dorëzohet nën shoqërinë e krenarisë së marinës italiane, Amerigo Vespucci.
Këto lloj anijesh janë të pajisura për detyra të ndryshme detare, të tilla si mbrojtja ose mbikëqyrja bregdetare.
Klasi “Cassiopea” është një seri prej katër anijesh patrullimi të marinës ushtarake italiane, të cilat janë ndërtuar në fund të viteve 1980 sipas standardeve civile dhe janë të dizajnuara për patrullim në zona të sigurta.