Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta nga burgu ka nderuar kujtimin dhe veprën e katër Martirëve të paharruar të Shkodrës dhe Shqipërisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu e Besnik Ceka, të vrarë pabesisht në 2 prillin e errët 1991, në mbrojtje të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira.
Meta në rrjetin social shprehet se heroizimi dhe sakrifica e tyre sublime është frymëzim dhe kushtrim për çdo shqiptar për ta kthyer 11 Majin në ditën e votës së lirë dhe fitores.
“Heroizimi dhe sakrifica e tyre sublime është frymëzim dhe kushtrim për çdo shqiptar për ta kthyer 11 Majin në ditën e votës së lirë, në ditën e fitores së Lirisë mbi tiraninë, të fitores së padiskutuar të demokracisë, pluralizmit politik dhe llogaridhënies.
Amanetin e katër Martirëve të Shkodrës për të garantuar zgjedhje dhe votën e lirë, të barabartë e të paprekshme jemi më të vendosur se kurrë për ta mbrojtur me çdo çmim.”, shkruan Meta.