Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla reagoi në rrejtin e tij social në lidhje me vrasjen e shqiptares Ilaria Sula në Itali nga i dashuri i saj filipinez.
Balla shpreh ngushëllimet për familjen e shqiptares, të afërme, miqve, kolegëve dhe komunitetit shqiptar në Itali. Ai vlerësoi protestën e studentëve të Universitetit La Sapienza në Romë, që nderuan edhe kujtimin e Ilaria Sulës dhe kërkuan ndërgjegjësim për dhunën ndaj grave.
“Solidaritet me protestën e studentëve të Sapienzas, të cilët vendosën të dëgjoheshin përmes zhurmës së çelësave të shtëpisë: minuta e zhurmës erdhi spontane, ndërsa të paktën 500 vajza dhe djem, profesorë dhe profesore, ishin para Fakultetit të Statistikës në një homazh për Ilarian.
Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhunë në familje. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Nuk mund të ketë #AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”, shkruan Balla.