22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arbër Çeliku: Perdja po bie ngadalë

Kryesoret

Perdja po bie ngadalë

 

Në teatrin e mugët të kukullave,

perdja rrëshqet si një psherëtimë e rëndë,

dalëngadalë zbulohet ferri i fshehur,

një tablo e zezë ku fije të padukshme lëkunden në hapësirë.

 

Maestroja, hije gjigante me penj të ndryshkur,

për dekada ka luajtur me shpirtra të gjallë,

tani veprat e tij shkëlqejnë si kristale të ftohta,

të mprehta sa t’i presin mishin e shpresës.

Kukullat, të rreshtuara në skenën e kalbët,

valëviten nën dritën e zbehtë të turpit,

pozicione të llogaritura për një sistem që shpirt jep,

një faqe e zezë ku historia gjakon rëndë.

 

Jashtë teatrit, njerëzit e ndershëm,

si lule të shkelura nga çizmet e rënda,

u degraduan,

me një britmë u shpallën tradhtarë,

zërat e tyre u mbyten nën peshën e gënjeshtrave,

Fabrikimet ishin një lumë me një rrjedhje dhe vrull të shpejtë rrufe.

 

Porositë ranë si shpata e Skënderbeut mbi kokën e atyre që atdheun e deshën mbi gjithçka:

burgosje, prishje familjesh, lot që digjeshin,

surgjynosje, si era që shpërndante hire të ferrit,

vrasje që lanë jehonë në shpirtin e tokës.

Të rinjtë, me ëndrra të copëtuara,

u dëbuan me një plan të zi, afatgjatë,

si zogj pa krahë, të hedhur në humnerë.

Biznesi lulëzoi mbi ajrin e helmuar,

kancer që ha mushkëritë e të gjallëve,

deponi të egra, që as toka nuk i mban,

qenia jonë, e shtrirë për një grusht ashte,

e tregtuar si plaçkë në tezgën e pazarit,

gjigand sa toka e ferrit,

që shtrihet përtej fushëpamjes së syrit tonë.

Perdja po bie ngadalë,

kukullat plandosen për tokë një nga një, si gjethe të vyshkura,

të braktisura nga dora që u dha jetë.

 

Maestroja, si Titaniku në mes të akullit,

qëndron i ngrirë, i heshtur, i paveshur me fjalë,

gishtat të mpirë, si timoni i një anijeje të humbur,

mendja e tij — një oqean i zi që e thërret poshtë,

në qetësinë e tmerrshme të fundosjes së pashmangshme,

ku as vdekja nuk i ofron strehë,

por vetëm përqafimin e ftohtë të humbjes së vetvetes

Të paktën, si burrë po jep shpirt,

veti kjo që nuk e ka pasur kurrë sa ka qenë gjallë.

-Arbër Çeliku- profesor universitar, gjuhëtar, publicist, shkrimtar, përkthyes dhe zë i fortë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit