Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zv.ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka vizituan sot familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.
Rreshteri Muhamed Lika humbi jetën tragjikisht më 1 prill. Kurti gjatë vizitës vlerësoi figurën e të ndjerit dhe theksoi kontributin e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai në librin e ngushëllimeve shkruajti se vrasja e tij do të hetohet dhe autorët do të dënohen për këtë.
“Rreshteri Muhamed Lika ka kontribuar shumë për ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe për sigurinë e qytetarëve dhe shtetit tonë. Po ashtu, ai dha kontributin e tij si luftëtar i UÇK-së për lirinë e popullit dhe vendit tonë. Vrasja e tij do të hetohet dhe autorët do të gjykohen dhe dënohen. Emri i tij do të kujtohet dhe nuk do të harrohet”, shkroi Kurti në librin e ngushëllimeve.