-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arben Malaj: Politikanë të babëzitur, lartësoni sa janë gjallë ikonat e kombit!

Kryesoret

Vdekja e “Artistes së Pop ullit” Margarita Xhepa, ikonës në historinë e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, është një goditje e madhe për artin dhe kulturën tonë. Margarita e talentuar, e dashur, mbresëlënëse dhe modeli i suksesit plot sakrifica dhe përkushtim maksimal, ishte dhe do të jetë një yll i ndritur i skenës dhe ekranit shqiptar. Ajo la pas një trashëgimi të paçmuar interpretimesh të paharrueshme, që do të vazhdojnë të jetojnë në zemrën e çdo shqiptari. Me kontributet e saj, me arritjet e saj deri në nivelin e “Artistes së Popullit”, me pasurinë e gjallë të roleve dhe kontributeve të saj, me pavdekësinë e saj artistike, Margarita jonë e dashur u ngjit në parajsë, duke lënë pas pasurinë më të madhe që një nënë mund t’i lërë një kombi, por edhe fëmijëve, nipërve dhe mbesave. Përballë saj, në vdekjen e saj dukemi se sa të varfër jemi përballë ikonave tona të artit, duke filluar me të pavdekshmin Aleksandër Moisiu.

Me vdekjen e saj, Margarita ndoshta do të ngjallë ndërgjegjen kombëtare të vdekur të liderëve politikë që janë viktima të babëzisë, arrogancës dhe pushtetit të përjetshëm. Promovimi i tyre janë kullat, motivi i tyre është babëzia, jo respektimi që kur janë gjallë dhe përjetësimi në historinë tonë i ikonave tona. Sheshi “Skënderbej” po rrethohet nga kulla pa fund dhe në garë se kush do të jetë më e madhja, më e larta dhe më imponuesja, dhe në realitet me atë densitet aq të dendur dhe me frymë-zënësia. Është trishtuese që qeveritarët janë bërë viktima të vetëmadhështisë së tyre në garë të qiellgërvishtësve që po shtohen përditë e më shumë dhe përditë e më lart. Kombet i nderojnë ikonat e tyre të çdo fushe kryesisht kur janë gjallë, por edhe pas vdekjes. Te homazhet për Margaritën ikonë pashë shumë artistë, ikona reale të artit tonë, që ishin në fazën kritike të jetës se tyre. Prandaj, pa asnjë ditë vonesë, një juri e Akademisë së Arteve duhet të bëjë listën e artistëve që duhen përjetësuar edhe në sheshin “Skënderbej”.

Qëllimi kryesor pse yjet vendosen sa janë gjallë artistët e nominuar është që të njohë dhe festojë kontributin e artistit sa ai është ende gjallë edhe për t’i treguar atij vlerësimin e industrisë dhe publikut për punën e tij. Një nga kushtet kryesore për marrjen e një ylli është zotimi i të nominuarit (ose përfaqësuesit të tij) për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit. Kjo i jep ngjarjes një rëndësi më të madhe dhe lejon artistin të ndajë momentin me familjen, miqtë dhe fansat e tij. Është një ngjarje e drejtpërdrejtë dhe personale. Ceremonitë e “Walk of Fame” gjenerojnë vëmendje mediatike dhe publicitet si për artistin e nderuar, ashtu edhe për Hollywood-in në tërësi. Kjo vlerë promovuese është më e madhe kur artisti është ende aktiv dhe mund të përfshihet në intervista dhe dalje publike rreth ceremonisë. Ceremonia është një moment festiv dhe i paharrueshëm jo vetëm për artistin, por edhe për fansat dhe industrinë.

Të shohësh një idhull tëndin, duke marrë një nderim të tillë është një përvojë emocionuese. Kjo ndjenjë e festës do të ishte e humbur nëse ceremonia do të bëhej pas vdekjes. Nëse yjet do të jepeshin vetëm pas vdekjes, mund të lindin debate dhe spekulime të shumta mbi atë se kush e meriton dhe kush jo, duke e kthyer procesin në një çështje më delikate dhe potencialisht konfliktuale. Disa nga ikonat/yjet përherë të ndritshme të artit tonë janë: Aleksandër Moisiu (1879-1935): Një nga aktorët më të mëdhenj të skenës europiane të fillimit të shekullit të 20-të. Edhe pse karrierën e zhvilloi kryesisht jashtë Shqipërisë, ai mbetet një ikonë e teatrit shqiptar dhe një figurë frymëzuese. Aktorët dhe regjisorë të shquar të teatrit dhe filmit, Margarita Xhepa (1932- 2024): Një nga aktoret më të dashura dhe të vlerësuara të teatrit dhe filmit shqiptar për dekada të tëra, me një gamë të gjerë rolesh të paharrueshme; Bekim Fehmiu (1936- 2010): Një aktor me famë ndërkombëtare, i njohur për talentin dhe karizmën e tij në filma jugosllavë dhe europianë. Kadri Roshi (1924-2007): Një emër i madh i teatrit shqiptar, i njohur për interpretimet e tij të fuqishme dhe prezencën skenike; Sandër Prosi (1920-1985): Një aktor i shquar i teatrit dhe filmit, i njohur për interpretimet e tij të thella dhe karakteristike; Liza Laska (Një nga zonjat e para të teatrit shqiptar, e njohur për elegancën dhe talentin e saj; Tinka Kurti: Një aktore e shquar e teatrit dhe filmit, e njohur për interpretimet e saj të ndjeshme dhe të fuqishme të personazheve femërore; Robert Ndrenika: Një aktor i jashtëzakonshëm i teatrit dhe filmit, i njohur për aftësinë e tij për të interpretuar role të ndryshme me mjeshtëri; Sulejman Pitarka, Roza Anagnosti; Kristaq Dhami: Aktor dhe regjisor i njohur, me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në teatër dhe film. Regjisorë të rëndësishëm të filmit: Dhimitër Orgocka: Regjisor i shquar teatri, i njohur për stilin e tij inovativ dhe interpretimet e thella të dramave. Viktor Gjika, Kristaq Dhami (përmendur edhe si aktor); Dhimitër Anagnosti, Piro Milkani, Gjergj Xhuvani. Sot, shkalla e përqendrimit ka zbritur në nivelin kritik prej vetëm 47 sekondash. Të rinjtë sot nuk njohin ngjarjet kritike apo momentet historike shtetformuese të vendit të tyre. Të rinjtë e lindur pas vitit 1997 nuk dinë asgjë për krizën e rëndë të piramidave financiare. Të rinjtë nuk i njohin artistët më të mëdhenj, politikanët mbresëlënës etj.. Gjithçka është e tolerueshme, por mosnjohja e ikonave të kulturës/artit, që janë promovuesit më të mirë të vlerave njerëzore dhe arritjeve mbresëlënëse është humbja më e rëndë në kujtesën historike të çdo kombi. Kombet promovohen më mirë nëpërmjet ikonave të artit sesa nëpërmjet politikanëve.

Hidhni një sy Evropës: gjeni shumë më tepër muzeume për artistët sesa për politikanët. Por, në kushtet kur mund të ndërtojmë edhe në sheshin/bulevardin e yjeve, mund t’i “detyrojmë të rinjtë që ta mësojnë historinë e vendit të tyre edhe duke ‘shkelur’ mbi yjet e ikonave të vendit të tyre. E di që dikush i ‘prekur’ nga ky apel publik, apo i verbuar nga babëzia që u jep prioritet kullave dhe jo vlerave, do të thotë që edhe në Amerikë këtë nuk e bën shteti, por fondacionet joqeveritare. Po, kanë të drejtë, por ministritë përgjegjëse dhe bashkitë mund ta ndihmojnë të ngrihet kjo eksperiencë mbresëlënëse dhe përfituese edhe për vendin, duke shpallur konkurs dhe duke bashkëfinancuar (për tri vitet e para) këtë eksperiencë, e cila duhet të bëhet edhe në çdo bashki të vendit. Të mira, edhe pse shumë të kushtueshme, janë edhe pikturat murale, por ato nuk e zëvendësojnë dhe as minimizojnë eksperiencën e promovimit të yjeve të një kombi në bulevarde apo sheshe publike.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit