Dita e sotme shënon një hap të rëndësishëm të Shqipërisë në marrëdhënien e saj me Bashkimin Evropian, pasi në Luksemburg do të mbahet raundi i radhës për çeljen e grup-kapitullit të dytë të negociatave.
Në këtë raund bisedimesh, pritet hapja e grup-kapitullit për tregun e brendshëm, një vendim ky i marrë nga ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.
“Jemi me presidentin e Këshillit Evropian. Jam shumë i inkurajuar nga këto zhvillime, jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit për të mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027” tha Rama.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa tha se në mes të majit do të vijë në Tiranë. “Zgjerimi në Ballkan është përparësi e qartë për BE dhe investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen, begatinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë. Inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim.
Sot çelim grupkapitullin tjetër dhe ambicia jonë është të çelim edhe të tjerë gjatë këtij viti. Kjo është e rëndësishme për BE dhe Shqipërinë por mendoj se është shenjë për të gjithë rajonin, se mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien dhe paqen në BP është BE dhe anëtarësimi në të.
Do të vizitoj personalisht rajonin në mes të muajit maj, në të 6 vendet e rajonit, për të rritur bashkëpunimin. Kjo është mundësi e mirë për të folur për samitin e Komunitetit politik që do të mbahet më 16 Maj. Evropa është më shumë se BE, por është më e rëndësishme që të jemi të gjithë së bashku dhe të bashkuar sepse kështu jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Evropë më të fortë”, u shpreh Costa.