Vjen goditja e parë për krim zgjedhor. I premtoi një personi lekë për t’i blerë votën në interes të një subjekti politik, vihet në pranga 38-vjeçari në Fier.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025” njofton policia.
Goditja vjen pak ditë pasi kreu i SPAK, Altin Dumani ka qenë në Prokurorinë e Fierit, ku zhvilluar një takim me prokurorët e kësaj Prokurorie me fokus krimet zgjedhore.