Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në qarkun e Vlorës u sndal tek pensionet.
Berisha u premtoi qytetarëve në Vlorë se pas tre muajve qeverisje shqiptarët nuk do të jenë më në mjerim. Ai tha se shqiptarët do të jenë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre.
“T’i pyesim pak këta qeveritarë, si mund të dilni ju para qindra e mijërave burrave dhe grave që shkrinë jetën e tyre, shkrinë energjitë e tyre për Shqipërinë që është sot dhe tani trajtohen në mënyrën më mjerane, më poshtëruese.
Marrin pension më pak se sa Gjermania jep për kafshën shtëpiake. Ndërkohë ministrat, mbiministrat marrin 50 pensione. Ndërkohë ministrat, mbiministrat ulen me pjata 15 pensione. Hapin shishe 30 pensione.
Si mundet? A mund të ecim në këtë mënyrë? Jo.
U jap ju fjalën se 3 muajt e parë, kjo situatë përmbyset. Shqiptarët në mjerim nuk do ketë më. Çdo shqiptar do marrë 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro. Mësuesit e fëmijëve tanë do marrin 1500 euro. Shqipëria, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre”, tha Berisha.