Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte vizitoi Ukrainën të martën dhe u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në qytetin e Odesës. Rutte theksoi se mbështetja e NATO-s për Ukrainën mbetet “e palëkundur”.
“Jam këtu sot sepse besoj se populli i Ukrainës meriton paqe të vërtetë, siguri dhe mbrojtje të vërtetë në vendin e tyre, në shtëpitë e tyre”, tha zyrtari i NATO-s gjatë një konference të përbashkët me Zelenskyn.
Gjithashtu të dy vizituan spitalin në Odesa dhe u takuan me ushtarë ukrainas të plagosur.
Kjo është gjithashtu vizita e parë e Ruttes në Ukrainë që kur presidenti amerikan, Donald Trump, mori drejtimin e negociatave për armëpushim ndërmjet Kievit dhe Moskës, të cilat kanë përfshirë disa runde bisedimesh në Arabinë Saudite.