Sjellja e tifozëve të Shqipërisë ndaj Andorrës në stadiumin “Arena Kombëtare” më 24 Mars, është konsideruar si diskriminuese dhe e papranueshme për FIFA-n.
UEFA ka vendosur të dënojë me gjobë Federatën Shqiptare të Futbollit, por jo vetëm kaq.
Përveç gjobës prej 20 mijë frangash zvicerane ndaj FSHF-së, Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka vendosur edhe mbylljen e të paktën 20% të stadiumit në ndeshjen e radhës së Shqipërisë në kompeticionet e FIFA-s, me prioritet në tribunat pas portave.
Sipas vendimit të dhënë nga FIFA, ky 20% mund të mbushet me grupe të komunitetit ose organizata kundër diskriminimit, me miratim paraprak nga qeveria botërore e futbollit.
Gjithashtu, brenda 6 muajve, FSHF duhet të hartojë dhe të paraqesë një plan të përmirësuar kundër diskriminimit që duhet të miratohet nga FIFA.
Sfida e radhës për Kombëtaren shqiptare do të jetë ajo ndaj Serbisë, e planifikuar për t’u luajtur në Tiranë.