Të pandehurit e dosjes “Metamorfoza” kërkojnë ndarjen e çështjeve dhe gjykim të shkurtuar me përjashtim të biznesmenit Pëllumb Gjoka.
Arben Nela, avokati i ish-prokurorit Xhevahir Lita, i kërkoi gjykatës ndarjen e çështjes për klientin e tij, duke argumentuar se: “Hetimi ndaj Litas ka qenë i plotë. Ai ka paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar.” Në të njëjtën linjë, Gentian Rumano, përfaqësuesi ligjor i Ardit Hasanbegaj, kërkoi gjithashtu ndarjen e çështjes së klientit të tij.
Edhe mbrojtësit ligjorë të Astmer Bilalit, Oltion Bistrit dhe Behar Bajroviqit paraqitën kërkesa për gjykim të shkurtuar. Elton Domi, avokati i Oltion Bistrit, u shpreh: “Nuk kemi kërkesa për marrjen e provave të reja, as për pavlefshmëri të provave ekzistuese. Kërkojmë që çështja ndaj tij të trajtohet e ndarë.” Edhe Elton Hyseni, përfaqësuesi ligjor i Behar Bajroviqit, deklaroi “Kërkojmë gjykim të shkurtuar. Lidhur me ndarjen e çështjes, ia lëmë vlerësimit të gjykatës.”
Biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe Edmond Preka nuk kërkojë gjykim te shkurtuar dhe ndarjen e çështjes. “Ne pritëm vendimin e gjykatës kushtetuese për SKY ECC, i cili është as mish as peshk, megjithatë kemi kërkesa për pavlefshmëri të akteve, marrjen dhe përdorimin e të dhënave”, deklaroi avokati i biznesmenit Pëllumb Gjoka, Gurali Brahimllari.
Procesi gjyqësor për dosjen e njohur si “Metamorfoza” zhvillohet nën drejtimin e një trupe gjykuese të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.