Kuvendi i Kosovës do ta vazhdojë seancën konstituive sot nga ora 12:00. Njoftimi është bërë pak kohë pasi presidenca shprehu qëndrimin se Kuvendi duhet ta vazhdojë seancën e ndërprerë të martën, në letërpërgjigjen ndaj kryesuesit Avni Dehari, i cili kërkoi udhëzime nga kreu i shtetit.
Në këtë përgjigjen drejtuar Avni Deharit, si kryesues i seancës, presidentja Vjosa Osmani ka cituar aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, me të cilat thotë se ai dhe të gjithë deputetët janë të obliguar të gjejnë vetë mënyra për ta bërë Kuvendin funksional.
Presidentja ka shprehur gatishmërinë edhe që t’i mirëpresë Deharin dhe kryetarët e partive politike në rast se e kanë të nevojshme. Sipas Rregullores së Kuvendit, ndërprerjet e seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
Seanca e pare u bllokua nga opozita me pretendimin se Albin Kurti dhe ministrat nuk kishin dhene doreheqjen nga kabineti.