Instituti Demokratik i Kosovës tha se mos votimi i Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit të Kosovës, tregon se ka mungesë të vullnetit politik për kompromis.
KDI bën thirrje që të gjithë deputetët të kontribuojnë në mbylljen me sukses të kësaj seance konstituive.
“KDI bën thirrje që të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë politike, të kontribuojnë në mbylljen me sukses të kësaj seance konstituive. Por, theksojmë që përgjegjësia kryesore bie mbi subjektin më të madh në Kuvend, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka për detyrë të udhëheqë procesin dhe të bëjë gjithçka që kërkohet – përfshirë diskutime dhe kompromise politik – për të siguruar një shumicë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Zvarritja e mëtejshme e këtij procesi jo vetëm që dëmton funksionimin e institucioneve, por rrezikon të thellojë edhe më tej krizën politike dhe institucionale.
KDI rikujton se funksionalizimi i Kuvendit është parakusht për të gjitha zhvillimet tjera demokratike në vend, përfshirë formimin e Qeverisë.”, thuhet në njoftim.