Presidenti Bajram Begaj me anë të një postimi ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve. Begaj shprehet se kjo festë të sjellë paqe dhe bekime në familjet e besimtarëve. Ai uron që drita dhe mirësia e kësaj feste të ndriçojë jetën e çdo besimtari të krishterë ortodoks, katolik e ungjillor shqiptar.
“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë!
Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat.
Drita dhe mirësia e kësaj feste ndriçofshin jetën e çdo besimtari të krishterë ortodoks, katolik e ungjillor shqiptar, dhe sjellshin paqe e bekime në familjet tuaja!
Festojeni këtë Pashkë plot dashuri, kujdes e vëmendje ndaj atyre që keni përzemer dhe që kanë nevojë!
Gëzuar me këtë shportë të përgatitur me shumë dashuri nga disa zonja të besimit ortodoks, në respekt të traditës sonë të festimit!”, shkruan Begaj në facebook.









