Zbardhen detaje të reja në lidhje me dy atentatet në Lezhë dhe Tiranë. Së pari nuk ka asnjë gjurmë të vrasësve të Gjovalin Prendit dhe plagosjen e 4 të rinjve në kryeqytet, por motoçikleta tip “Ducati”, me të cilën autorët u larguan pasi qëlluan në drejtim të makinës “G Class” është larguar në drejtim të Elbasanit.
Grupi hetimor ka mundur ta gjurmojë deri diku në autostradë, ndërsa më pas ka humbur gjurmët, pasi ka devijuar nëpër disa rrugë fshatrash pa mbërritur në qytet, në të cilat deri më tani ka qenë i pamundur gjurmimi pasi nuk ka kamera sigurie.
Grupi hetimor, përveç verifikimeve që po kryen për pistën që e lidh me ngjarjen e Lezhës, ku 2 orë para saj u vra babai i Roan Brahimit, disa pista të tjera janë duke u verifikuar, por deri në këtë fazë asnjëra prej tyre nuk duket të jetë bindëse për të avancuar deri në zbardhjen konkrete të atentatit.