Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka zhvilluar nje takim me banorët në Katjel të Elbasanit. Noka u shpreh se te programi i Partisë Demokratike e gjen veten çdo i ri, e re, pensionist, arsimtar, mjek, profesionet e lira dhe shtresat në nevojë.
Ai theksoi se Berisha u rikthye me programin më madhështor që ka patur ndonjëherë një forcë politike në histori.
“Cili është programi i Partisë demokratike, i Aleancës për Shqipërinë Madhështore: Aty e gjen veten çdo pensionist, çdo i papunë, çdo i ri, çdo e re, çdo fermer, çdo mësues, e gjen veten çdo shqiptar. 200 euro do të jetë minimumi jetik. Nuk do të ketë qytetar të zonës suaj këtu apo çdo shqiptar që të ketë të ardhura më pak se 200 euro. 200 euro do të jetë minimumi jetik i vendosur për ju. Brenda 100 ditëve të para do të bëhet realitet. Brenda 100 ditëve të para, me Paketën e Dhembshurisë, çdo pensionist do të ketë 20% më shumë se minimumi jetik pension, që të mos t’i shtrijë dorën komshiut, komshijes apo kushëririt, apo fëmijëve në emigrim për ta mbajtur gjallë”, tha Noka.









