Kreu i Partisë Demokratike ka prezantuar kandidatët për deputetë në zonën e Vorës dhe Kasharit. Berisha foli për fushtën e Partisë Socialiste dhe u shpreh se Edi Rama kërkon që të zhvlerësojë familjen. Ai tha se sipas tij Rama kërko që të heqë vëmendjen nga problemet që kanë familjet shqiptare.
“Në shoqërinë tonë, themeli i gjithë themeleve është familja. Vijmë para jush me një projekt ku zotohemi se familja shqiptare, në Vorë, Kashar, Domje, Bërxull, Marikaj kudo do të jetë në epiqendër të përpjekjes sonë. Një komb i fortë është ai që ka familjen e fortë. Familja është e fortë kur ka moralin e fortë, kur ka mirëqenien. Disa vlera janë të përbashkëta, kam besim se respekti reciprok i burrit ndaj gruas dhe i gruas ndaj burrit, dashuria e anëtarëve të familjes janë morali më i lartë i njeriut dhe shoqërisë.
Kam besim se asnjë grua nuk pranon ti shahet, djali, bashkëshorti, prindi, pra kjo fushatë vulgare e Edi Ramës, që kërkon të zhvlerësojë familjen ka një qëllim. Jo vetëm tregon konceptet e tij për familjen, por edhe të spostojë vëmendjen nga problemet e vërteta që ka familja shqiptare. Askush nuk pranon të dëgjojë se burri është kështu apo ashtu. Kjo familje ka nevojë që djali apo vajza të mos marrin rrugën e dheut, por të shkollohen, të gjejnë punë dhe të ndihmohen për strehimin dhe të ndërtojnë në vendin e tyre ëndrrën rinore. Do bëjmë gjithçka për shkollimin e fëmijëve tuaj.”, tha Berisha.