Le ta them qysh në fillim se me këtë shkrim nuk kam patur e nuk kam asnjë konflikt interesi. U nxita dhe nga fakti se në jetën diplomatike mbas viteve 90, kam patur rastin të kem 12 ministra të jashtëm; por pak prej tyre kanë lënë gjurmë në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Ka një konsensus të gjerë në komunitetin diplomatik për Prof. Dr. Paskal Milon, i cili drejtoi Ministrinë tonë të Jashtmenë një periudhë të jashtëzakonshme ( 1997 – 2001) me ngarkesa dhe rrjedhoja të mëdha historike politike, si lufta në Kosovë, Procesi i Stabilizim – Asociimit dhe Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore. Në atë periudhë diplomacia jonë përmirësoi imazhin duke u organizuar mbi bazat e meritokracisë.
Ndërkohë, Ministrja jonë e parë e Jashtme dhe pastaj deri në vitin 2017 Kryetare e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, Arta Dade, mbahet mend për dinjitetin, fisnikërinë dhe integritetin politik, sidomos për ushtrimin me sukses në brendi dhe në formë të “diplomacisë së butë ( soft power) të imazhit dhe të sharmit“; cilësi këto me vlerë të shtuar falë dhe personalitetit të saj rrezatues kudo dhe në kancelaritë Euro-Atlantike. Po ashtu, ish Ministri i Jashtëm,shkrimtari i shquar, Besnik Mustafaj, krahas të tjerash përballoi me sukses sfidat dhe trysninë e madhe mbarë kombëtare lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe proceset historike të integrimit në BE, me ture të vështira por efikase në të katër anët e globit.
E pra, në këtë galeri të spikatur potretesh, nga muaji shtator 2023 është shfaqur efektiv, praktik, pa bujë dhe zhurmë, por me hapa, akte dhe veprime diplomatike Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme, zoti Igli Hasani.
I ardhur me modesti, si prurje e re në politikën dhe diplomacinë shqiptare ai është afirmuar pa asnjë lapsus apo incident sado të vogël, brenda dhe jashtë vendit.
Dallon me profilin dhe modestinë që mban kudo, pa i “pa i bërë hije” as njerit dhe as tjetrit, as më të voglit dhe as më të madhit. Pa “ tamtame pseudo reformuese“ si një paraardhës i tij që filloi me spastrime, me targa makinash dhe duke “i futur të gjithë diplomatët dhe diplomatet në një thes“
Qysh në 20 muajt e parë në këtë post të lartë, ai ka shfaqur cilësi dhe ka shënuar arritje të rëndësishme, të cilat flasin shumë më tepër se lustrat dhe lëvdatat.
Duke nisur nga sfondi dhe karriera profesionale e veçantë. Veç diplomimit të dyfishtë për filozofi, drejtësi dhe sociologji, në gati 18 vite në Ministrinë e Mbrojtjes ai i kaloi me sukses të gjitha shkallët e hirarkisë në fushën e medias dhe sigurisë deri te post imë i lartë civil, si Sekretar i Përgjithshëm. Po ashtu bëri trajnime për aspekte të sigurisë dhe mbrojtjes në Qendrën “Marshall“ nëGjermani, në SHBA dhe master në Institutin prestigjioz King‘s College në Londër. Këto ia shtojnë ndjeshëm besueshmërinë politike dhe profesionale, veçanërisht në përballimin e sfidave të tanishme madhore të sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjithashtu, ai është i dyti ministër i jashtëm mbas Besnik Mustafajit që vjen në atë post pasi ka drejtuar me sukses një përfaqësi diplomatike tejet të rëndësishme si ajo e OSBE-së nëVjenë; mbi të gjitha në periudhën e saj më të rëndësishme, kur Shqipëria kryesoi për herë të parë OSBE-në në vitin 2020; me hapat dhe arritjet tashmë të njohura, me gjithë kushtet e rënduara të Pandemisë COVID – 19. Gjatë vitit 2021 – shtator 2023 ai shërbeu si Koordinator i OSBE-së në Vjenë për çështjet ekonomike dhe të mjedisit.
Ministri Hasani e mori detyrën ministrore kur Shqipëria ishte zgjedhur për herë të parë në historinë tonë anëtare jo e përhershmee KS të OKB-së ( 2022 – 2023).
Më tej, të gjithë kemi dëgjuar dhe kemi folur për samitet e paraeuropiane/rajonale që vendi ynë mikpriti në Tiranë në dy vitet e fundit kushtuar integrimit në BE, Ukrainës dhe Procesit të Berlinit, si dhe atij të Komunutetit Politik Europian që do të zhvillohet në Tiranë më 16 Maj; ashtu si dhe një sërë vizitash të nivelit më të lartë, si ajo e Presidentit të Francës, të Gjermanisë, etj.
Natyrisht, këto dhe të tjera arritje janë rezultat dhe i demarsheve të shumta të diplomacisë sonë në Tiranë, në Londër, Vjenë, Bruksel, Uashigton, Paris, Nju Jork..
Ndërkohë, dhe shumë e rëndësishme, bashkë me ekipin e saj dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministri Hasani ka patur rolin e tij të rëndësishëm në çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, të grup kapitujve të deritanishëm dhe vijimin e këtij procesi historik me takime dhe praninë e tij në shumë forume e takime ndërkombëtare. Por, sërish, le ta theksojmë, si Kryediplomat, ai kambajtur profil modest, duke lëvizur me etikë, finesë dhe qetësi në kanalet dhe kancelaritë e shumta diplomatike në Europë dhe në botë.
Kjo ishte sa i takon veprimtarisë diplomatike në planin e jashtëm. Po aq të rëndësishme dhe të dukshme janë rezultatet brenda vendit, në modernizimin e aparatit të MPJ-së, dinamizmin dherritjen e efektivitetit të tij në të gjitha aspektet. Së pari, duke nxitur e inkurajuar diplomatë me përvojë, sidomos vajza dhe gra në poste drejtuese të mesme dhe të larta. Është vërtet kënaqësi kursheh ish kolege dhe kolegë të promovuar me meritë në pozita drejtuese kyçe në Ministri, ambasadorë, etj. Edhe pse sfida këtu mbetet e madhe dhe ka shumë punë për të bërë që secili diplomat të gjejë plotësisht vehten sipas vendit dhe aftësive.
Deri tani vonë ishte bërë ” gangrenë” vegjetimi i më shumë se gjysmës së ambasadorëve tanë jashtë vendit në të njëjtin post ose pa u kthyer deri dhe 10 vite në Atdhe, diçka e paparë në praktikën diplomatike ndombëtare dhe atë të vendit tonë. Kjo situatë absurde mori fund vitin e kaluar pas shumë përpjekjesh, duke zëvendësuar ose qarkulluar rreth 30 titullarë në përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit, nga rreth 60 që kemi gjithsejt. Po ashtu lëvizje të shumta u bënë dhe në personelet e Ambasadave.
Një dukuri tjetër pozitive gjatë vitit të kaluar ishte qëndrimi i drejtë publik i MEPJ-së lidhur me një projekt-ligj të shërbimit të jashtëm, i cili me të drejtë u hodh për diskutim publik. Me atë rast, u bënë shumë komente pozitive dhe sugjerime për përmirësime te projekti në fjalë, ku spikati dhe Këshilli i Ambasadorëve të Shqipërisë ( KASH); duke vlerësuar sidomos frymën dhe synimine këtij projekti, KASH paraqiti zyrtarisht dhe publikisht dhjetra sugjerime dhe propozime për përmirësime konkrete, mbi bazën e përvojës diplomatike dhe politike të anëtarëve të tij, ish ambasadorë dhe drejtues të lartë të diplomacisë sonë në 30 vitet e fundit.
Eshtë pozitive, se MEPJ-ja reagoi drejt, duke mos u ngutur në miratimin e tij në Kuvend, siç u bë 10 vite më parë, dhe mesa duket është duke i studiuar të gjitha vërejtjet dhe përmirësimet e propozuara. Ky është një veprim pozitiv që krahas të tjerash rrit besueshmërinë e akteve dhe hapave të diplomacisë sonë.
Duke qenë ”si i shtëpisë” në Bruksel, ku kam shërbyer 10 vite si diplomat në Ambasadën tonë në Belgjikë dhe Misionin pranë BE-së, nuk mund ta le pa vlerësuar dy vendimet më të reja të qeverisë lidhur me Përfaqësinë tonë në Bruksel.
Gjatë 10 viteve të fundit, kemi një përfaqësi të vetme për Belgjikë/Luksemburgun dhe përBE-në. Mirëpo në kushtet e tanishme kur ne jemi vend aspirant për në BE dhe kemi çelur negociatat e anëtarësimit janë shtua rndjeshëm dhe kërkesat e ndryshme, përfshi ato logjistike.
Në përgjigje të kësaj situate të re, me propozim të MEPJ-së, qeveria miratoi javët e fundit ndarjen e ambasadës në Belgjikë/Luksemburg nga Misioni pranë BE-së, siç ishte dhe përpara vitit 2014 kur nuk u kuptua se përse u bë ai bashkim, ndonëse sapo ishim shpallur vend kandidat. Po aq i rëndësishëm është dhe vendimi tjetër për blerjen e një godine të re të Misionit tonë pranë BE-së në Bruksel, që t’i përshtatet rrethanave të reja dhe duke përcjellë një imazh më cilësor të vendit dhe diplomacisë sonë. Pozitive dhe e mirëpritur ishte dhe rihapja e Ambasadëssonë në Sarajevë, ndonëse ajo u çel në vitin 2010 dhe u mbyll çuditërisht më 2014, thjesht për të hequr qafe një Ambasador edhe pse ai ishte tejet efektiv dhe dinjitoz në të gjitha drejtimet!
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme është aspekti tjetër dallues i personalitetit të Ministrit Hasani, sjellja dhe qëndrimi i tij publik dhe njerëzor dhe veçanërisht ndaj diasporës shqiptare dhe përfaqësuesve të saj kudo në botë. Këtë e kam parë dhe vetë nga afër në dy raste në Bruksel, ku Ambasada më ftoi në muajin prill të vitit të kaluar në një takim të lirshëm me Ministrin Hasani, Ambasadorin Ferit Hoxha dhe disa përfaqësues me zë të diasporës sonë në Belgjikë. Më vonë, pata rastin të takohesha dhe me të dhenë Pritjen që Ambasada dha në Sallën e famshme gotike të Bashkisë së Brukselit me rastin e Festës sonë Kombëtare për bashkëatdhetarët tanë në Nëntor 2024.
Si dhe shumë të tjerë u befasova se ndryshe nga 3 pararardhësit e tij më të fundit që shfaqeshin me pompë dhe fodullëk ishte e vështirë të dalloje ministrin nga të tjerët, i futur fare natyrshëm mes njerëzve në biseda miqësore, jo duke dhënë direktiva, por duke dëgjuar me vëmendje e përulësi e duke dhënë përgjigje me finesë, qetësi dhe respekt, pa kurfare ” parti pris”. Po ashtu, ndjeva kënaqësi kur na takoi dhe vlerësoi, ndryshe nga ndonjë paraardhës që nuk na jepte as dorën, se i dukej vehtja mbret absolut!
Kësisoj, emërimi i tij mbas dy eksperimenteve të dështuara me paraardhësit ishte gjetja e duhur e Kryeministrit Rama në të gjitha aspektet e përmendura më lart.
Gjithsesi sfidat, dritëhijet dhe problemet për diplomacinë tonë janë të shumta dhe të njohura dhe për Ministrin Hasani dhe këdo tjetër që mund të jetë aty më vonë.
Këtu do të theksoja veçanërisht nevojën e një konsultimi më të madh me think tanket dhe institutet e ndryshme të mendimit diplomatik në vendin tonë të cilat kanë krijuar një përvojë të madhe me ekspertë dhe veprimtari, të cilët kanë punuar dhe drejtuar diplomacinë tonë. Po ashtu, në 6 vitet e fundit është treguar tejet aktiv në të gjitha format Këshilli prestigjioz i Ambasadorëve të Shqipërisë; me mbi 60 ish ambasadorë, 4 ishministra të jashtëm dhe personalitete të spikatura.
Është e pafalshme që ndonëse nuk ka mbetur Ambasador i huaj dhe homologët e tij nga SHBA-ja, Italia, etj pa u takuar dhe marrë mendimet e tij, MEPJ-ja jonë ende nuk ka vendosur kontakte, përshkak ndoshta të ndonjë paragjykimi të gabuar partiak dhe aritmetik se demek aty paska më shumë ambasadorë të PD-së se sa të PS-së! Por mjafton t’i hedhësh një sy emrave të njohur të KASH-i dhe bindesh lehtë se kjo nuk është fare e vërtetë! Gjithsesi, jam i bindur se kontaktet me këto institute dhe me KASH-in si një vlerë e shtuar për diplomacinë tonë janë në axhendën e Ministrit Hasani, por është thjesht çështje kohe.