-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kreu i Kishës siguronin Putinin: Vuçiç do të jetë në Moskë më 9 Maj

Kryesoret

Dënimi i “revolucionit me ngjyra” dhe “pushteteve perëndimore”, bashkë me dëshirën që Serbia t’i bashkohet botës ruse, ishin mesazhet që kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ia përcolli presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Porfirije, përveç falënderimeve ndaj Putinit për mbështetjen, foli edhe për Kosovën, Republikën Sërpska dhe Malin e Zi, duke thënë se qëndrimi i Serbisë varet nga qëndrimi i Rusisë.

Gjatë takimit në Kremlin, më 22 prill, ku morën pjesë edhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirilli, dhe mitropoliti i Baçkës, Irineji, u fol për dashurinë ndaj Rusisë që është “e ngulitur gjenetikisht në popullin serb” dhe për “punët djallëzore” të Perëndimit.

Ai ia përcolli Putinit përshëndetjet e Aleksandar Vuçiçit dhe konfirmoi se presidenti i Serbisë do të jetë në Moskë më 9 Maj. Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiç vlerëson për Radion Evropa e Lirë se vizita e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Moskë është “shumë më tepër se sa një gjest”.

“Konfirmimi i tij se Vuçiçi do të vijë në Moskë nënkupton se ai është takuar me të para se të nisej dhe se, me gjasë, ka marrë udhëzime, kërkesa ose lutje që të ndërhyjë tek Vladimir Putini për ta shpëtuar Vuçiçin nga ajo që ai e quan ‘revolucion me ngjyra’”, tha Jakshiç.

Ai shtoi se vizita e Vuçiçit në Moskë do të ketë “pasoja serioze për pozicionin gjeostrategjik të vendit”. Pavarësisht paralajmërimeve të shpeshta nga Brukseli dhe synimit të deklaruar për anëtarësim në BE, Beogradi vazhdon bashkëpunimin me Moskën dhe refuzon t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Çfarë u tha në Moskë për protestat studentore?

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe përsëriti mesazhet e pushtetit në Beograd, i cili protestat studentore disa mujore – që kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në një aksident në Novi Sad – i quan “revolucion me ngjyra”.

Shpresoj që ta kalojmë këtë sprovë. Sepse e dimë dhe e ndiejmë se qendrat e pushteteve nga Perëndimi nuk dëshirojnë zhvillimin e identitetit dhe kulturës së popullit serb. Lutjet tona janë gjithmonë me ju dhe shpresoj që Zoti do t’ju ndihmojë”, i tha Porfirije presidentit rus.

Për “përpjekjet për rrëzim të shtetit”, autoritetet në Serbi fajësojnë shërbime të paemëruara perëndimore, ndërsa nga Moska ka ardhur disa herë mbështetje për t’iu kundërvënë “revolucionit me ngjyra”.

Me këtë term përshkruhen protestat që rrëzuan regjime autoritare në republikat ish-sovjetike. Mbështetje për autoritetet serbe kanë dhënë edhe hetues të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

Pas akuzave se gjatë protestës masive më 15 mars në Beograd u përdor top zanor, i cili është i ndaluar në protesta, FSB-ja pas një hetimi në Serbi erdhi në përfundim se autoritetet nuk e kishin përdorur atë.

Në videon e takimit të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit, vetë Putini nuk iu përgjigj drejtpërdrejt komenteve të patriarkut për “revolucionin me ngjyra”, por tha se “e di që situata në Ballkan nuk është e thjeshtë” dhe se Rusia është e vetëdijshme për përpjekjet e kreut të Kishës Ortodokse Serbe për ta “forcuar pozicionin e Serbisë”.

Teologu Vukashin Milliçeviç vlerëson se gjuha e përdorur nga patriarku tregon se ai nuk shkoi në Moskë si përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe apo popullit serb, por “vetëm si përfaqësues i regjimit”.

“Ka gjithnjë më shumë zëra brenda vetë kishës që dalin hapur, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe besnikëria ndaj vlerave të krishtera, dhe besoj se vala e ndryshimeve që falë studentëve ka prekur Serbinë, do të prekë edhe Kishën Ortodokse Serbe”, tha Milliçeviç.

Protestat studentore kanë ndarë zyrtarët e Kishës Serbe. Ndërsa drejtuesit e kishës me mesazhet nga Moska dolën hapur në krah të pushtetit, një pjesë e klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe mbështeti studentët.

“Dihet që gjithmonë ka përvëluar ajo përplasja mes krahut konservator dhe atij liberal të kishës. Konservatorët ishin tani në Moskë. Krahu liberal u dëgjua në Munih kur peshkopi Grigorije mbajti fjalimin e mirëseardhjes për studentët që shkuan me biçikleta”, thotë Boshko Jakshiç./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit