Mëvetësimi i Maqedonisë në vitin 1990 nuk solli asgjë të re për ne shqiptarët, përveç margjinalizimit dhe segregacionit edhe më të madh shtetëror se në ish-Jugosllavi.
Zotimet për një shoqëri të barabartë dhe multietnike s’kanë qenë gjë tjetër, pos një farsë në mozaikun e stisur politik maqedonas. Kushtetuta e vitit 1991 i vuri themelet e një sistemi që institucionalizoi pabarazinë dhe hendekun e madh shoqëror.
Madje, edhe pas konfliktit të vitit 2001, kur me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, u arrit Marrëveshja e Ohrit dhe e cila duhej t’i ndryshonte gjërat, duke e kthyer Maqedoninë në një shtet shumetnik, ashtu siç në të vërtetë ajo është për nga reliefi natyror, përveç kamuflimeve, asnjë ndryshim tjetër thelbësor nuk është arritur në këtë drejtim.
Dhe sot, kur çdo avarie politike-shoqërore mëtohet t’i vishet petku etnik, nuk përbën asgjë tjetër, pos një arshini të dyfishtë politik shtetëror maqedonas dhe një pafytyrësie të politikës shqiptare, së cilës nuk i ka mbetur asgjë tjetër për t’u kapur e mbështetur.
Partitë maqedonase e kanë plot gojën në retorikën e tyre të përditshme, se ne shqiptarët jemi grupuar rreth partive shqiptare, por të cilat vetë kurrë nuk kanë marrë asnjë hap për t’i hapur dyert e partive të tyre edhe për ne shqiptarët. Përveç disa individëve eksponentë që kanë pasur në radhët e veta, vetëm sa për sy e faqe. Nga ana tjetër, për të çuar përpara programet e tyre, jo vetëm antishqiptare, por edhe të përfitimit të klikave të tyre, qëllimisht dhe e kanë krijuar këtë margjinalizim dhe segregacion politik-shoqëror, duke shfrytëzuar me këtë rast edhe njëherë për të na promovuar neve si radikalë përpara faktorit ndërkombëtar.
Sa i përket formësimit tonë politik, për këto 3 dekada, përveç fragmentarizimit dhe kompromentimit nga interesat personale, ende nuk krmi arritur të artikulojmë një front të unifikuar për të sfiduar këtë padrejtësi. Në vend të një strategjie të përbashkët për të avancuar të drejtat kolektive, elitat tona politike tradicionalisht kanë qenë të përfshira në pazare me partitë maqedonase, duke pranuar pozita periferike në qeveri, me një nomenklaturë individësh gjysmakë intelektualisht, të pavetëdijshëm kombëtarisht dhe pa asnjë etikë të denjë sa i përket rëndësisë së një formësimi shoqër, gjë që ka rezultuar pa ndryshime të mirëfillta strukturore e sistemore, që ne si popull të kultivon ndjesinë e përkatësisë shtetërore-kombëtare.
Ky dhe ka qenë qëllimi kryesor i politikave shtetërore maqedonase, që përmes kësaj pafytyrësie tonë politike, të realizojë postulatin e saj origjinar politik: margjinalizimin, segregacionin, zhbërjen e patriotizmit, krijimin e një politikani surrogat shqiptar, i cili përveç pasurimit, tjetër objektiv nuk ka, dhe heshtjen e përhershme tonën si shoqëri, pa asnjë ndjesi më për të arritur avancimin tonë kombëtar.
Thjesht, po shartohemi dhe hibridizohemi keq. Na mbetet veç të shohim, ku do të na shpie e gjithë kjo.