Pas fitores në zgjedhjet federale, lideri i Partisë Liberale, Mark Carney, mbajti fjalimin e tij të parë si kryeministër i Kanadasë, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për unitet kombëtar dhe përkushtim ndaj vlerave themelore kanadeze.
“Kam një pyetje: kush është gati të mbrojë Kanadanë me mua?”, tha Carney përballë një salle plot mbështetës, duke shtuar: “Dhe kush është gati ta ndërtojë Kanadanë të fortë?” deklarata që erdhën në një moment tensioni në marrëdhëniet me SHBA-të, sidomos për tarifat dhe çështjet ekonomike.
Ai falënderoi familjen për mbështetjen, veçanërisht bashkëshorten dhe fëmijët, duke theksuar se ata e frymëzojnë çdo ditë për të shërbyer. Carney nënvizoi se vendimi për t’u përfshirë në politikë lindi nga bindja se Kanadaja ka nevojë për ndryshime të mëdha, të udhëhequra nga vlerat që i ka mësuar që i vogël: në tryezën e familjes, në akull për ndeshjet e hokejit, dhe në takimet me qytetarë në çdo cep të vendit.
Në fund, ai theksoi tri vlerat që do të udhëheqin qeverisjen e tij: përulësia, ambicia dhe uniteti.