Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve, pjesë e reformës në drejtësi, po vijon të rëndojë ndjeshëm mbi financat publike. Të dhënat nga raporti vjetor i Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2024 tregojnë se që nga fillimi i këtij procesi deri në fund të vitit, kostoja për shtetin ka arritur në rreth 965.7 milionë lekë.
Në total, janë shkarkuar 144 gjyqtarë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa 113 prej këtyre vendimeve janë konfirmuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Një pjesë e konsiderueshme e gjyqtarëve të shkarkuar vazhdojnë të mbajnë statusin e gjyqtarit të pezulluar, për shkak se janë ende në pritje të shqyrtimit të çështjes në KPA. Gjatë kësaj periudhe, sipas ligjit, ata vijojnë të përfitojnë 75% të pagës së tyre bruto.
Vetëm për vitin 2024, kostoja për mbajtjen e 60 gjyqtarëve të pezulluar që presin vendimin përfundimtar ka shkuar në rreth 140.9 milionë lekë. Brenda këtij grupi, 7 prej tyre janë shkarkuar gjatë këtij viti dhe kanë përfituar rreth 11.9 milionë lekë gjithsej.
Sipas të dhënave, edhe në vitin 2025 pritet që 33 gjyqtarë të tjerë të vijojnë të jenë në status pezullimi, ndërsa procesi i apelimit ndaj shkarkimit të tyre vazhdon.
Krahas kostove financiare, sistemi gjyqësor po përballet edhe me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore. Aktualisht në gjykatat e vendit ka 136 vakanca për gjyqtarë, nga të cilat 75 janë të përhershme dhe 61 të përkohshme. Gjatë vitit 2024, në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor kanë ushtruar funksionin e tyre 272 gjyqtarë, që përbën vetëm 66.6% të kapacitetit të plotë të sistemit. Megjithatë, kjo shënon një rritje krahasuar me një vit më parë, kur në detyrë ishin 247 gjyqtarë.