Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka zhvilluar një takim me qytetarët në Durrës. Shehaj u shpreh i bindur se në Parlamentin e ardhshëm, Partia Mundësia do të ketë të paktën 7 deputetë, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Ai tha se shqiptarët duan ndryshimin dhe do të votojnë për të. Shehaj theksoi se nga sondazhet e fundit, Partai Mundësia është forca e tretë politike.
“Ndërkohë që dëgjoja gjithë këtë habi të madhe, 11.5 % në Tiranë, uau thonë, fillojnë analizat. Më erdhi në mendje dhe kur vendosëm të krijonim Partinë Mundësia, një grup i vogël, këta komentonin, thoshin na mbytën partitë e reja. Ndërkohë që ne propozonim programin tonë, nxorëm kandidatët tanë, nxorëm planin tonë, këta thonin po ia fut kot Agroni, nuk mund të ulen shpenzimet dhe shpërdorimet e shtetit. Nuk mund të ulen taksat, nuk mund të adoptojmë Euron si Kosova e Mali I Zi.
Ndërkohë që ne punojmë, këta japim mend. E ndërkohë që japin mend zgjohen e thonë ua sa shumë që janë rritur, si është e mundur që janë mbi 10% në Tiranë?
Kjo nuk është gjë fare, se këta do çuditen në 12 maj, e disa prej tyre do vënë duart në kokë do thonë si nuk i pamë. Shqiptarët duan ndryshimin dhe do votojnë për ndryshimin. Ndryshimi nuk vjen nga dita në ditë. Që ditën e parë kam thënë projekti ynë politik është afatgjatë. Zgjedhjet e ardhshme ne do nxjerrim të paktën një grup parlamentar. Po këtë e thosha deri para disa muajsh. Kur pashë sondazhet e fundit tani më duket se duhet të rrisim dhe pritshmëritë.”, u shpreh Shehaj.