Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi gjatë fjalës së saj në PPE ka ngritur shqetësimin e autokracisë , si një kërcënim ndaj lirisë dhe demokracisë.
Vokshi u ndal që nga arresti shtëpiak i Sali Berishës deri te burgosja e deputetit Ervin Salianji. Ajo tha se është koha për të vendosur një vijë të kuqe, për të mbrojtur të drejtën për të votuar lirshëm dhe për një emergjencë për demokraci.
“Nëse ne, PPE, heshtim tani, rrezikojmë të shohim demokracinë në Ballkan të rrëshqasë drejt një rënieje të pakthyeshme. Duhet të veprojmë së bashku për të dërguar një mesazh të qartë drejt regjimit të korruptuar në Shqipëri dhe çdo regjimi tjetër të korruptuar:
Demokracia nuk është e negociueshme!
Nuk duhet kurrë të tregtojmë demokracinë për të ashtuquajturin “stabilitet”! Nuk duhet të lejojmë që interesat e qytetarëve të sakrifikohen për përfitime personale politike!
Ajo që kërkojmë sot, përmes kësaj rezolute, është mbështetje për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë të drejtën më themelore, të drejtën për të votuar! Në mënyrë që çdo qytetar shqiptar, në zgjedhjet e ardhshme, të mund të votojë lirshëm, në mënyrë të fshehtë, të drejtpërdrejtë dhe të sigurt. Që të jenë ata, dhe vetëm ata, që do të vendosin për të ardhmen e tyre.
Le të qëndrojmë të bashkuar! Le të mbrojmë demokracinë, duke u nisur nga e drejta për të votuar!”, tha Vokshi.