Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka ngritur alarmin për një kërcënim të mundshëm nga Bjellorusia, duke akuzuar Rusinë se po përgatit lëvizje të reja ushtarake nën maskën e stërvitjeve verore.
“Këtë verë Rusia po përgatit diçka atje, nën mbulesën e ushtrimeve ushtarake,” tha ai gjatë një samiti në Poloni pa dhënë detaje konkrete. “Kështu fillojnë zakonisht sulmet e saj të reja,” shtoi më tej presidenti ukrainas.
Rusia dhe Bjellorusia kanë njoftuar se do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në muajin shtator. Edhe pse Bjellorusia nuk ka dërguar trupa në frontin e luftës në Ukrainë, ajo ka luajtur një rol strategjik në fazën fillestare të pushtimit, duke lejuar ushtrinë ruse të përdorë territorin e saj për të hyrë drejt kufirit ukrainas dhe të përpiqet të avancojë drejt Kievit një plan që nuk u realizua.