Marrëveshja e përbashkët e nënshkruar në mes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e bashkëpunimit ushtarak, ka nxitur reagime të shumta, sidomos nga Serbia. Ka pasur përfolje edhe për rritjen e numrit të shteteve që do t’i bashkohen kësaj iniciative. Më së shumti është folur për Bullgarinë, gjë që ka nxitur edhe polemika, megjithatë Sofja zyrtare e ka mohuar.
Lidhur me gjithë këtë situatë të krijuar, në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë. Nga Zagrebi zyrtar kanë thënë për Express se iniciativa është hapur për të gjithë partnerët në BE dhe në NATO, veçanërisht ata që janë të interesuar të ndihmojnë Kosovën dhe Shqipërinë në rrugën e integrimeve.
Ndihmesa mund të jepet sa i përket ekspertizave, zhvillimit të aftësive dhe ndërveprimeve mes forcave të armatosura dhe përpjekjeve në fushën e industrisë së mbrojtjes.
“Siç e ka komunikuar disa herë për publikun Ministria Kroate e Mbrojtjes, Deklarata e Përbashkët e nënshkruar nga Republika e Kroacisë, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës është e hapur për të gjithë aleatët dhe partnerët në mjedisin e BE-së dhe NATO-s, veçanërisht për ata që janë të interesuar të ofrojnë mbështetje aktive për Kosovën dhe Shqipërinë në rrugën e tyre euroatlantike, përmes transferimit të përvojës dhe ekspertizës, zhvillimit të aftësive dhe ndërveprimit të forcave të armatosura, dhe përmes sinergjisë së përpjekjeve në fushën e industrisë së mbrojtjes” deklaroi Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë.