Nuredin Seci, njeriu garant për pagesën prej 6 milionë dollarë për kompaninë lobuese për heqjen e ‘non gratës’ së kreut të PD, Sali Berisha ka reaguar sërish.
“Përshëndetje, duke dëgjuar panelin tuaj sonte dua të bëj një sqarim, për çështjen e PD-së në USA si biznesmen shqiptaro-amerikan. Me dashuri të thellë për Shqipërinë dhe SHBA, kam qenë dhe mbetem i përkushtuar ndaj forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, për këtë arsye vendosa që të ofroj mbështetjen time financiare për opozitën shqiptare, me bindjen e palëkundur se përfaqësimi dinjitoz dhe profesional në kryeqytetin amerikan, është thelbësor, për avancimin e interesave për një Shqipëri demokratike dhe të lirë. Mbështetja që kam filluar të marr nga anëtarë të komunitetit shqiptaro amerikan është një dëshmi inkurajuese për ruajtjen e kësaj lidhje të veçantë mes dy vendeve. Nga ana tjetër nuk jam i befasuar nga sulmet e pabaza dhe përhapja e dezinformacionit nga ndividë dhe grupe, që kundërshtojnë presidentin Trump, kundërshtojnë një Amerikë të fortë dhe nuk përkrahin një Shqipëri demokratike. Qëllimi im ka qenë dhe mbetet i qartë; të mbështes, angazhimin e profesionistëve, më të kualifikuar në fushën e marrëdhënieve me qeverinë amerikane. Ata që e kuptojnë realisht rëndësinë e lidhjes historike mes dy vendeve dhe që njohin mundësitë që lindin nga udhëheqja e fortë e Trump dhe janë të gatshëm të avokatojnë me integritet për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë, si një person privat kam vendosur të mos bëj më deklarata të tjera publike sic nuk kam bërë për fondacionin që drejtoj përmes të cilit ndihmoj të paktën 44 familje me fëmijë autikë në veri dhe jug të Shqipërisë, Tropojë dhe Tepelenë. Theksoj se dua të siguroj këdo që e lexon qëndrimin tim se përkushtimi im për të mbështetur Amerikën dhe Shqipërinë do të vazhdojë pa ndërprerje” tha ai tek opinion.