Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mungesë vizioni politik dhe për shmangien e transparencës dhe ballafaqimit publik, duke e cilësuar këtë si një shenjë të dobësisë dhe frikës nga një debat i hapur. Në takimin përmbyllës të fushatës në Fier, Berisha ka theksuar se 11 maji do të shënojë fundin e Edi Ramës dhe të këtij modeli qeverisës.
Berisha theksoi se, në vend që të ofrojë një debat të ndershëm dhe të hapur me opozitën, Rama ka zëvendësuar diskursin politik me shfaqje sensacionale dhe reklama mediatike që nuk kanë lidhje me problemet reale të qytetarëve. Ai i ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e propagandës dhe të mos i besojnë një qeverie që, sipas tij, nuk ka asnjë vullnet për transparencë.
“Rama, në vend të debatit dhe transparencës, paraqet vallet e Lubi Balluku, piskamat e Zegjinesë dhe, së fundmi, Lamborghinin e Noizyt. Ati ta gëzojë, se e ka nga fitimet e këngëve, por ai kushton sa 50 mijë pensione. Siç kushton djegësi i Tiranës, i zhdukur për 130 milionë euro. Ka zhdukur 130 milionë euro taksat tuaja. Ku janë? Ku është djegësi i Fierit që e shëtitën vërdallë dhe sot është një llamarinë që s’punon? Ku janë 120 milionë euro të Becchetit? 21 milionë euro udhëtime me avion taksi? Ku janë 33 mijë euro shishja e Romano Kontit?”
Në fjalën e tij, Berisha kritikoi ashpër keqmenaxhimin e fondeve publike dhe kërkoi transparencë për shpenzimet e dyshimta, duke i kujtuar Ramës se ai nuk mund të fshihet më pas shfaqjeve sensacionale:
“Prandaj, urdhri është: Mos dilni para qytetarëve. Ai që fshihet është më i ligi. 11 maji po vjen. Edi Rama, është fundi yt.”
Berisha përfundoi me një mesazh të qartë, duke theksuar se koalicioni opozitar është i gatshëm të sjellë ndryshimin e shumëpritur dhe të mbrojë interesat e qytetarëve shqiptarë.