Kreu i Partisë Mundësia, Ageron Shehaj, ka zhvilluar një takim elektoral në zonën e Astirit në Tiranë, ku ka sulmuar ashpër klasën politike të tranzicionit, duke e akuzuar për korrupsion të thellë dhe për pengimin sistematik të qytetarëve që të ndërtojnë jetën me punë të ndershme.
Shehaj theksoi se shqiptarët janë lodhur nga politikanët që bëjnë premtime boshe dhe nuk u ofrojnë zgjidhje reale për jetesën. Ai u distancua qartë nga partitë e tjera, të reja apo të vjetra, duke theksuar se Partia Mundësia është ndryshe.
“Shqiptarët, fatkeqësisht, janë qeverisur nga politikanë të korruptuar që thjesht ua kanë marrë shpirtin, nuk i kanë lënë të punojnë,” – tha Shehaj.
“Ne dallojmë nga të tjerët, të vjetër dhe të rinj. Ia kemi dalë me punë të ndershme, nuk bëjmë populizma, nuk japim premtime boshe dhe nuk tallemi me njerëzit. U themi të vërtetën.”
Në fjalën e tij, ai theksoi se Shqipëria ka potencial të madh për zhvillim, por që është penguar nga një shtet i kapur dhe një qeveri që ka dëmtuar klimën ekonomike.
“Ne nuk u themi qytetarëve që do i bëjmë më të pasur, por besojmë se Shqipëria mund të pasurohet nga puna e njerëzve të ndershëm. Detyra jonë është t’i lëmë të punojnë dhe t’u heqim shtetin nga kurrizi.”
Shehaj përfundoi duke thënë se, pa një qeveri të korruptuar, vendi do të kishte qenë më i begatë dhe mijëra shqiptarë nuk do të ishin detyruar të largohen.