Pas pjesëmarrjes në Panairin e Librit në Kamëz, shkrimtari Ben Blushi ka bërë një propozim publik për krijimin e një “Rruge të Shkrimtarëve”, duke e cilësuar këtë qytet të ri si një shpresë për letërsinë shqiptare.
“Kamza ka themeluar një çmim për letërsinë që nuk e gjen as në Tiranë, as në Korçë, as në Shkodër,” shkruan Blushi, duke kritikuar qytetet e mëdha që “i kanë zëvendësuar libraritë me mejhane dhe lexuesit me turistë të dehur”.
Ai i sugjeron Bashkisë së Kamzës “të zerojë taksat për libraritë dhe të krijojë një rrugë me librari, kafene ku lexohet, pika për audiobooks e prezantime letrare”. Sipas tij, kjo do ta kthente Kamzën në një atraksion kulturor të veçantë.
“Shkrimtarët janë etërit themelues të këtij vendi, edhe kur kanë shkruar keq. Ndërsa politikanët i kanë bërë keq Shqipërisë, edhe kur kanë menduar mirë,” përfundon Blushi, duke bërë thirrje që letërsia të mos përçmohet, por të nderohet.