Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se protesta mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë nuk do të zgjasë përtej orës 20 dhe se ky është vetëm fillimi.
“Ora 18-20 është e mjaftueshme, nuk ka plan që protesta të zgjasë pas orën 20. Të ftojmë shqiptarët se rruga e vetme për ata që duan të votojnë të lirë është protesta. Nuk është punë e thjeshtë. Ky nuk është një moment, do të hapim siparin, ky është hapi i parë në këtë alternativë që është e vetme.
Kjo protestë thirret në kushtet kur opozita bëri gjithçka për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Sot çdo shqiptar, që ka ideal votën e lirë dhe do të luftojë për të, ka në duart e vete, dokumentet e padiskutueshme kombëtare, ku Edi Rama zhvillon farsë dhe jo zgjedhje. Opozita ia doli që të mbrojë ligjërisht votën e shqiptarëve.
Rikthimi i saj është në duart e qytetarëve shqiptarë. Reagimi i tyre për betejën e votës do të vijojë. Ftoj çdo shqiptar, që të analizojë me gjakftohtësi farsën zgjedhore, kjo në interesin e tyre. Më pas të marrë vendimet e duhura. Ne do të respektojmë vendimet e qytetarëve, por besoj se ata qindra mijëra shqiptarë kërkojnë që t’u dilet zot protestës së tyre. Protesta para kryeministrisë zhvillohet me kërkesën e prerë, dorëheqjen e Ramës dhe të Lubi Ballukut.
Janë jo të pakët qytetarët që kjo protestë duhej të zhvillohej para Ministrisë së Energjetikës, por jo nuk është autore kryesore Lubia, por masha në aferën e Llogarasë apo në Portin e Vlorës dhe në aeroportin e Vlorës. E vërteta; ajo ishte thjesht një instrument për të gjitha vjedhjet. Ajo ka përgjegjësi ligjore më të mëdha se mali i Dajtit, por më të mëdhatë i ka Edi Rama. Janë bashkëfajtorë. Ftoj qytetarët dhe të gjithë qytetarët e tjerë që dëshirojnë të paraqiten në këtë protestë”, tha Berisha.









