Drejtpërdrejt nga takimi i tij në Mirditë, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, e cilësoi këtë krahinë si një simbol të qëndresës dhe dinjitetit përballë qeverisë aktuale. Gjekmarkaj theksoi se, edhe pse Mirdita është e prekur nga padrejtësitë dhe varfëria që ka shkaktuar qeverisja e tanishme, ajo mbetet e palëkundur në idealin e saj për liri dhe demokraci.
“Mirdita është një krahinë trimash, e cila, edhe sot, përballë tiranisë që mbajmë mbi supe, nuk dorëzohet. Ajo ngrihet, rebelohet, qëndron dhe fiton,” tha ai.
Ai gjithashtu akuzoi qeverinë për grabitje të pasurive kombëtare dhe theksoi se qytetarët e Mirditës nuk do të dorëzohen përballë ofertave të rrejshme. “Mirdita u tregon pushtetarëve se mund të vjedhin mbi tokë e nëntokë, por nuk mund të vjedhin dot idealin e lirisë,” theksoi Gjekmarkaj.
Për sa i përket ofertës së Partisë Demokratike, ai shtoi: “Ne nuk premtojmë lugë floriri dhe pasaporta për të ikur, ne flasim me gjuhën e zemrës.”
Në fund, ai e vlerësoi Sali Berishën si simbol të besueshmërisë dhe zgjidhjes për Shqipërinë, duke thënë: “Rilindja është virusi, Shqipëria është e sëmura, Berisha është doktori.”









