Kryeministri Edi Rama mori pjesë në takimin elektoral të Partisë Socialiste në Lezhë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku komentoi me ironi reagimet e opozitës dhe të Sali Berishës ndaj paraqitjes së reperit Noizy në aktivitetet e PS-së.
Rama tha se Noizy kishte një lidhje personale me rrugën e Arbrit, pasi i ati kishte origjinën nga Dibra. “Noizy kishte fiksim rrugën e Arbrit sepse i ati ka lindur në Dibër dhe ka rrugën e gjyshit atje. Më thoshte shpesh ‘a do bëhet kjo rrugë?’. I thashë, pa të bërë ty të vish me plumb pushke nga Tirana në Peshkopi, nuk e le këtë punë,” tha Rama, duke shtuar se sot rruga është aq cilësore sa “shkohet me makinë sportive pa u shqetësuar për veshkat apo nervat”.
Kreu i qeverisë vijoi me tone ironike ndaj Berishës, duke e quajtur “buf” dhe duke e krahasuar me suksesin e Noizyt: “Noizy ka shumë albume, por bufi çfarë kënge ka kënduar që mori 6 milionë dollarë dhe i nisi në Amerikë, për të hequr nga veshi matrikullimin që i kanë vënë atje?”
Këto deklarata të Ramës vijnë në vazhdën e debatit mbi kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA.
/5pyetjet.al