Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me qytetarët në Durrës. Berisha teksa po preznatonte kandidatët për deputet u shpreh se ata dallojnë si dita me natën me ata të Partisë Socialiste.
“Të nderuar kandidatë dhe kandidate për deputetë të PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, të qarkut të Durrësit, krenari e vërtetë e PD, krenari e vërtetë e qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.
Të dashur miq, ne jemi krenarë me këta zotërinj dhe këto zonja se para së gjithash dhe mbi të gjitha këta janë një grup qytetarësh midis jush, që u përfaqësojnë ju, përfaqësojnë moralin tuaj, vlerat tuaja, interesat tuaja, virtytet tuaja.
Këto zonja dhe zotërinj dallojnë si nata me ditën, si e vërteta me gënjeshtrën me kandidatët e Sakos, me kandidatët e Pojës, me kandidatët e Hajrit, me kandidatët e terroristëve elektoralë, të cilët do marrin ndëshkimin më të merituar pas datës 12 maj.
Miq, këto zgjedhje ndajnë qytetarët, atdhetarët, ndajnë ata që duan Durrësin, ndajnë njerëzit me dinjitet, ndajnë njerëzit e virtytshëm nga ata të cilët komandohen nga bandat dhe krimi dhe besojnë se mund t’i imponojnë Durrësit vullnetin e tyre.
Ja ku po e deklaroj para jush, vrimë miu nuk do gjejnë.Kudo që të jenë do i kapim, me Sakon, me Gjushin, me kandidatët e tyre. Për ta nuk ka vend në parlament. Për ta ka vend në koshin e plehrave të historisë.”, u shpreh Berisha.