Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se më 16 maj Tirana do të mirëpresë liderët më të lartë të kontinentit europian, në kuadër të një takimi të rëndësishëm politik që vjen si dëshmi e pozicionit gjithnjë e më të konsoliduar të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Gjatë rubrikës së përjavshme “Sy më sy” në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve, ku theksoi se rruga europiane e Shqipërisë është e pandalshme dhe kërkon mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit. Ai u bëri thirrje diasporës shqiptare që të votojë për Partinë Socialiste, duke e konsideruar atë si garancinë për një të ardhme në Bashkimin Europian.
Kryeministri u shpreh se ndonëse mbetet i pakënaqur me shumë aspekte të qeverisjes, ai vijon të jetë ambicioz për të përmirësuar më tej punën e institucioneve. Ndër të tjera, ai theksoi se shumica e shqiptarëve tashmë ndjejnë ndryshimin dhe se Shqipëria është një vend që ka me çfarë të krenohet.
“Nuk jemi më një popull që shihet si pa vlerë. Me anëtarësimin në Bashkimin Europian do të kemi një Shqipëri të re,” u shpreh Rama.