Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka pritur sot Koordinatoren Speciale të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri Farah Karimi.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj e falënderoi zonjën Karimi dhe ekipin e saj për vizitën në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e misioneve vëzhguese ndërkombëtare në procesin zgjedhor.
Ai shtoi se “Vëzhguesit ndërkombëtarë gëzojnë prestigj dhe besueshmëri tek opinioni publik shqiptar”, duke siguruar se “gjetjet dhe rekomandimet e tyre do të trajtohen nga publiku dhe politika shqiptare me maksimumin e seriozitetit”. Sipas Presidentit, neutraliteti dhe korrektësia e misioneve vëzhguese janë të padiskutueshme.
Presidenti Begaj theksoi gjithashtu se Shqipëria ka hyrë në një fazë zhvillimi, ku përmbushja e standardeve të zgjedhjeve është një domosdoshmëri. Ai ndau me Karimin dhe ekipin e OSBE-së vlerësime dhe opinione rreth zhvillimeve të deritanishme, duke theksuar angazhimin e vendit për të përmirësuar procesin zgjedhor.