-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Ujdi, armëpushim dhe paqe, jo pushtim!

Kryesoret

Kaloi dhe afati i caktuar nga Administrata e Presidentit Trump për një armpëpushim të qëndrueshëm, të paktën për një muaj midis Rusisë dhe Ukrainës. Pa asnjë rezultat. Mirëpo, ky armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte është hapi i parë ose pikënisja për më tej e sidomos për një paqe të vërtetë dhe të përhershme.

Ç’ka në fakt Moskës nuk i intereson, për shkak të përparimit që ka krijuar muajt e fundit në fushën diplomatike falë afrimit me SHBA-të, të shoqëruar me avantazhe të rëndësishme dhe në frontin e luftimeve. Kur në këto pozita force, siç e kemi përmendur më parë, duhej të ishte Kievi, që në bisedimet për paqe apo armëpushim, të ishte ai që të diktonte kushtet. Armëpushimi është i dobishëm, sepse veç të tjerash, ai ofron premisa për krijimin e masave të besimit ( confidence -building measures) si kusht i domosdoshëm në proceset paqebërëse, por për to nuk flitet pothuajse fare.

Sipas shumë analistëve dhe ekspertëve të fushës, mënyra më efektive për një armëpushim që t’i çelë rrugën një paqeje të vërtetë me ”diplomacinë e forcës” do të ishte që sapo hyri në Zyrën Ovale, Trump t’i kërkonte Moskës tërheqjen nga zonat e pushtuara dhe të ndalonte luftën, për një ose disa muaj, me qëllim që t’i hapej rruga bisedimeve për paqen në fjalë; apo qoftë dhe duke qëndruar në pozicionet e tanishme, pa lëvizur asnjë hap më tej deri në një zgjidhje të qëndrueshme. Por jo, siç u veprua, duke ia lëshuar gjithë terrenin dhe tematikën mbi paqen Rusisë, përpara se të fillonin dhe vetë bisedimet, pa lënë asnjë hapësirë manovrimi me objektiva maksimale dhe minimalë, siç ndodh në të gjitha negociatat paqebërëse.

Më tej, ka një dallim të madh midis një marrëveshje politike paqeje dhe një ujdie. Në fakt, Presidenti Trump flet më tepër për një ”Ujdi” term dhe praktikë e preferuar për të si afarist elitar. Dhe libri i tij më i shitur është “Arti i ujdisë” ( Art of the deal).

Një ujdi e tillë ekonomiko-tregtare e rëndësishme për Ukrainën është ajo që u nënshkrua më 30 Prill midis SHBA-ve dhe Ukrainës. Mirëpo dhe ajo është ende në parim, në formë paraprake; ndaj po punohet për plotësimin e saj me protokolle të veçanta dhe të detajuara, ku mund të lindin probleme e vështirësi ligjore, sepse dihet që ” djalli qëndron te detajet”.

Mirëpo, ujdira të tilla të tipit “ jep e merr” dhe me elementë të papërcaktuar, sidomos me mungesën e garancive amerikane të sigurisë janë larg dhe pa asnjë garanci për përfundimin e luftës dhe paqen e vërtetë.

Theksojmë se doktrina e zgjidhjes së konflikteve të tilla të armatosura, si ai Rusi- Ukrainë është demode dhe e dështuar. Sepse rrënjët e agresionit rus nuk janë të natyrës ekonomike, tregtare dhe tarifore; pastaj, ato mund të zgjidheshin në organizatat përkatëse ndërkombëtare. Në fakt, shkaku i vërtetë i agresionit kundër Ukrainës dhe kërcënimet ndaj Europës lidhet me gjeopolitikën neoimperialiste ruse për ringritjen e perandorisë së dikurshme, pak rëndësi ka, cariste apo sovjetike.

Lidhur me realizimin e një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, po flitet shumë mbi planin amerikan me disa faza. Komponenti themelor që përmendet aty është ndarja e territorit ukrainas në tre zona të administruara nga Rusia, Ukraina dhe një zonë tampon ushtarake nga forcat ndërkombëtare dhe europiane, me lumin Dniepër si vijë demarkacioni.

Meqenëse kjo temë pritet të jetë objekt diskutimesh dhe debatesh në të ardhmen, dhe për të gjykuar me drejt mbi alternativën e mundshme të ndarjes së Ukrainës dhe rreziqet saj serioze, ia vlen të ndalemi pak më gjatë në këtë temë.

Pranohet gjerësisht se propozimi i lartpërmendur i ngjan modelit të ndarjes së Berlinit në vitin 1945 midis SHBA-ve, Francës dhe Britanisë së Madhe në perëndim dhe Ish BS-së në pjesën lindore; ndarje e cila vijoi deri në vitin 1949, kur atje u krijuan dy shtete të ndara dhe të pavarura: RFGJ-ja dhe RDGJ-ja. Deri në shembjen e Murit të Berlinit që shënoi ribashkimin gjerman dhe atë europian.

Ideja e ndarjes “alla Berlin” të Ukrainës është e rrezikshme, kundër të drejtës ndërkombëtare dhe për pasojë e papranueshme. Ajo nuk premton paqe reale për Ukrainën; ca më keq akoma kjo ndarje krijon premisa për përsëritjen e precedentëve agresive nga Rusia dhe nga ndonjë vend tjetër, madje dhe ndaj shteteve anëtare të NATO-s; ca më tepër kur krahas ekspertëve të tjerë, ish ministri britanik i Mrojtjes Ben Walace dhe analisti konservator Robert Kagan kanë thënë se ”nuk venë më dot bast” se SHBA-të do zbatojnë Nenin 5 mbi mbrojtjen kolektive, duke kërkuar me këtë rast ”Europianizimin” e NATO-s, ME por dhe PA SHBA-të.

Për pasojë, do të hapet “kutia neoimperialiste e Pandorës”. Kjo paqe “allasoj” do të jetë e njëanëshme, “ me detyrim përcaktim” dhe e ngjashme me Marrëveshjen famëkeqe të Munihut në shtator 1938; ajo do t’ia shtojë oreksin agresiv Moskës.

Ky projekt, kopje e një modeli të tejkaluar në kohë mund të dëshmojë, veç të tjerash, dobësitë dhe dështimin e diplomacisë amerikane dhe asaj perendimore.

Themi kështu, sepse Berlini u nda në katër pjesë 80 vite më parë, kur bota sapo hynte në “Luftën e Ftohtë”; dhe tani po kërkohet pak a shumë e njëjta gjë, por 35 vite mbasi e kemi lënë prapa atë periudhë, me alternativa shumë më efektive.

Këtu vlen të theksohet se gjatë Luftës së II Botërore, asnjë prej aleatëve të mëdhenj, as ish BS-ja nuk sulmoi dhe as pushtoi ndonjë vend; përkundrazi, pushtuese ishte Gjermania hitleriane me pushtimin e Polonisë, Francës dhe agresionin kundër ish Bashkimit Sovjetik më 22 Qershor 1941. Ndërsa sot, Ushtria ruse, ndryshe nga Ushtria e Kuqe atëhere, është agresore kundër një shteti sovran dhe aleat të Perëndimit; duke shkelur me të dyja këmbët dhe të drejtën ndërkombëtare, ndonëse Rusia është anëtare e përhershme e KS të OKB-së!

Atëhere të katër vendet aleate pavarësisht nga dallimet ideologjike ishin dakord për të administruar përkohësisht Berlinin; ndërsa sot Britania dhe Franca por jo vetëm janë kundër. Vetëm SHBA-të janë në favor të kësaj ndarje, ndoshta dhe Rusia, e cila gjithsesi prapë “ bën naze” se kërkon përfitime maksimale nga shansi që i ka rënë jo më si nga qielli, por nga Presidenti i tanishëm amerikan, Donald Trump!

Ndërkohë, Gjermania u nda ne 4 pjesë thjesht dhe vetëm për administrimin e saj kalimtar, veçse jo nën trysninë e një pushtimi, pa asnjë rrezik dhe kërcënim për vendet e tjera. Ndërsa sot, Ukrainës së sulmuar pa asnjë justifikim i kërkohet të dorëzojë pjesë të saj, qoftë dhe për administrim kalimtar e ca më keq t’i njihen Rusisë goxha territore, për të akomoduar pozicionet dhe “tekat” e Moskës; dhe kjo jo më sipas “forcës së ligjit”, si baza e rendit ndërkombëtar të deritanishëm, por të ligjit të forcës” që sundoi deri më 1945, me pasojat e llahtarshme tragjike.

Dallimi tjetër i madh dhe i rëndësishëm është se krahas vendosjes së Berlinit nën administrimin e 4 fuqive të mëdha dhe çliruese të asaj kohe, ato ngritën bashkërisht tribunalin e famshëm të Nurembergut, i cili ndëshkoi penalisht të gjithë kupolën drejtuese të nazizmit. Ndërsa sot po ngjet e kundërta, dhe nuk bëhet më fjalë për drejtësi; jo vetëm Rusia por as SHBA-të nuk e njohin Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe vendimet e saj; SHBA-të tashmë u larguan nga grupi që merret me konstatimin e krimeve ruse, etj. Madje, Trump bën fajtorë paraardhësit e vet, Zelenskin dhe Europën, por pothuajse asnjë fjalë qortuese, se të bukura plot ndaj agresorit, duke e barazuar atë me viktimën! E bukur drejtësi!

Gjithashtu, ndarja e Berlinit atëhere u bë dhe nga halli e në mungesë të forumeve botërore të sotme dhe ligjit të njehsuar ndërkombëtar, i cili që ishte në fillimet e veta; ndërsa sot e drejta ndërkombëtare ka krijuar një traditë të gjatë 80 vjeçare dhe megjithë difektet e njohura, ajo është në funksion të plotë; kemi OKB-në me filialet e saj dhe diplomacinë shumëpalëshe, disa të krijuara me nismën e SHBA-ve dhe Rusisë, si OSBE-ja më 1976 e cila po anashkalohet dhe injorohet prej tyre.

Ndërkohë, kjo ndarje në vitin 1945 ishte proces i përkohshëm dhe mbas krijimit të dy Gjermanive, në Kushtetuën e RFGJ-së ishte përcaktuar Ribashkimi Gjerman, si objektivi madhor që u realizua në vitin 1990. Po me Ukrainën çfarë do të ndodhë mbas armëpushimit apo vendosjes së paqes së diktuar me këto ndarje? A do të ribashkohen ato me Ukrainën apo do të aneksohen për jetë me Rusinë, duke e prishur modelin gjerman të suksesit. Pyetje e vështirë, por deri tani pa përgjigje.

Atëhere u nda Berlini në 4 dhe pastaj në dy pjesë sepse po hidheshin konturet e ndarjes së qartë midis Perëndimit, të kryesuar nga SHBA-të dhe BE-ja, me disa vene të tjera me peshë dhe Lindjes së kryesuar nga ish BS-ja me vendet satelite. E kundërta po ndodh sot; SHBA-të po ndahen me Perëndimin dhe vlerat e tij, duke kaluar nga demokracia në oligarki dhe po afrohen shumë me Rusinë, duke lënë “ në baltë Europën”. Prapë pyetje pa përgjigje: ”Amerika e para“, po e dyta kush vjen?

Shumë e rëndësishme, dallimi i madh me 80 vite më parë ishte fryma, klima dhe atmosfera mes vendeve aleate, ku SHBA-të u afirmuan vullnetarisht si kampione e paqes dhe demokracisë dhe udhëheqëse e botës së lirë perendimore. E cila ndoqi deri muajt e fundit politikën e “ kulaçit” me miqtë dhe “ kërbaçit” ndaj kundërshtarëve të saj politikë, ideologjikë dhe ushtarakë.

Mirëpo, qëkurse Presidenti Trump rierdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë po ngjet e kundërta. Siç e kemi përmendur dhe më parë, “diplomacinë e bujshme të forcës “ që premtoi në fushatën presidenciale ai po e përdor në drejtimin e kundërt dhe të gabuar; “ kërbaçin” ia fshikullon Ukrainës dhe aleatëve europianë. E filloi me takimin skandaloz me Presidentin Zelenski, kur “i tregoi dhe derën”; e akuzoi si diktator, si përgjegjës për agresionin rus bashkë me Presidentin Biden, se “nuk i ka kartat”, kur votoi për herë të parë në OKB në favor të Rusisë, kur hoqi dhe fjalën agresion. Por e korrigjoi “shinjestrën” me Zelenskin në Vatikan më 26 Prill.

Më tej, ndryshe nga praktikat elementare diplomatike të negociatave Trump bëri publike pa filluar ende ato lëshime katastrofike strategjike ndaj Rusisë; pa kërkuar asnjë kompensim apo lëshim, sidomos lidhur me tërheqjen e saj nga Ukraina. Ca më keq Akoma me një listë me “JO” fatale ndaj Ukrainës: JO në NATO, JO në kufijtë e vitit 2014, JO me garanci amerikane, JO me ushtri dhe me JO të tjera!

Ndërsa “fuqinë e butë” ose “ kulaçin” e ka pothuajse të gjithë për Rusinë agresore, në përpjekje për të zbutur dhe normalizuar marrëdhëniet diplomatike, politike, dhe ekonomike me të; me përjashtim të ndonjë thirjeje tani së fundi si “ paralajmërimet e dikurshme serioze kineze, ose të OJQ-ve por kursesi të “Amerikës madhështore”.

Ja pse në këto kushte, siç thotë nobelistja ukrainase Olessandra Matvijçuk dhe siç pohojnë shumë politikanë dhe analistë perendimorë dhe amerikanë, ndërmjet të cilëve Jϋrgen Hardt, Thomas Jäger, etj kjo mund të rezultojë paqe e diktuar dhe pushtim i ri i Ukrainës”! Ndaj dhe Roderick Kissvetter, ish gjeneral, deputet dhe ekspert i njohur gjerman pohon se “ me këtë paqe, Ukrainën do tua hedhin qenve”

Për pasojë, tani SHBA-të veç lutjeve dhe ndonjë gjoja ” shkopi”si sanksione SHBA-të që Moska “ua ka pirë lëngun” nuk kanë se çfarë t’i kërkojnë apo t’i bëjnë më Rusisë. Ndoshta tani Trump po e kupton se Putini luan jo vetëm me kohën por dhe me vetë Atë, por është pak vonë për ndonjë kthesë të madhe. Paralajmërimi i ditëve këtyre ditëve të fundit nga Zv.Presidenti Vance dhe Sekretari i Shtetit Rubio për tërheqjen e SHBA-ve si ndërmjetësuese nëse nuk do të ketë propozime nga të dyja pale, çka po ndodh është konfirmimi më i qartë dhe më bindës për sa më sipër!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit