Katër prej forcave politike garuese në zgjedhjet e 11 majit duket se zgjodhën politikën e emocioneve të huazuar nga fushatat e presidentit amerikan, Donald Trump, përkundrejt politikës së ideve, duke vijuar një traditë që dukshëm do ta zgjasë tranzicionin shqiptar drejt demokracisë dhe shtetit së së drejtës. Fenomeni novator i këtyre zgjedhjeve ka qenë dominimi i dyerve të mbyllura në zyrat elektorale dhe përqendrimi i fushatës nëpër kanalet e pasme të komunikimit privat me kandidatë që po zëvendësojnë funksionet e shtetit me klientelizmin politik.
Kryeministri Edi Rama vijoi kësaj here modelin e dy fushatave të shkuara, atë të tepsisë që nuk duhej të ndahej me partitë e vogla të vitit 2017 dhe “garës mes personaliteteve dhe jo ideve” (kjo ishte shprehja e tij në vitin 2021). Kësaj here, Rama huazoi sloganin e konservatorëve amerikanë për “tharjen e kënetës” si lajtmotiv për të shënjestruar opozitën dhe për të refuzuar çdo diskutim racional. Rama ka bërë për herë të fundit fushatë bazuar në premtime dhe debate mbi formën e shtetit dhe të shoqërisë në vitin 2013.
Në mënyrë të ngjashme, udhëheqësit e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, mbështetën një pjesë të konsiderueshme të përpjekjeve të veta elektorale duke ngacmuar ndjenjat njerëzore, përmes frikës dhe pasigurisë, duke aluduar shpesh për komplot kundër kombit. Për të ilustruar ngjashmërinë me Trump, Berisha kontraktoi për një vlerë ende të panjohur, njërin nga strategjistët e fushatës së tij, Chris LaCivita.
Kryetari i Partisë “Mundësia” Agron Shehaj zgjodhi të përshëndesë shqiptarët nga parku i golfit Mar-a-Lago, një kompleks dëfrimi nën pronësinë e presidentit amerikan, Donald Trump, ndërsa huazoi prej fushatës Trump-Musk idetë e shtetit të vogël dhe shkurtimit të administratës publike.
Udhëheqësit e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” u mbështetën jo pak herë në atë që mund të quhet nacionalizëm folklorik, ndërsa flirtuan me idenë e “një axhende” duke insinuuar komplot nga komuniteti LGBTQ+. Homofobia u përdor si politikë në shumë raste nga Berisha dhe nga Meta, ndërsa Rama u përpoq në një rast të shfrytëzojë stereotipet mbi qytetin e Elbasanit duke bërë humor me termat “prindi 1” dhe “prindi 2”, terma që janë krijuar në fakt si pjesë e një fushate dizinformuese që shënjestron anëtarët e komunitetit LGBTQ+ si armiq të familjes, si urryes të termave “nëna” apo “babai”.
Një numër prej deputetëve të opozitës propozuan gjithashtu, si pjesë e mesazheve të tyre elektorale, një ndryshim ligjor në parlament, në të cilin specifikohet se në legjislacionin shqiptar duhet të ketë vetëm dy gjini, gjininë e “qelizës së vogël riprodhuese” dhe atë të “qelizës së madhe riprodhuese”, një propozim jo i nevojshëm ky, nëse merr parasysh se Kodi i Familjes dhe ligji për Gjendjen Civile aktualisht nuk njeh ndonjë gjini tjetër dhe as nuk lejon ndryshimin e gjinisë. Kandidatë të ndryshëm të opozitës e deklaruan veten si politikanë “pro familjes”, duke sugjeruar në këtë mënyrë se në vend ekziston ndonjë forcë politike që është “kundër familjes” apo që synon ta shkatërrojë atë.
Një pjesë jo e vogël e fushatës u kalua me justifikimet që Rama dha në mënyrë të përsëritur për skandalet korruptive të qeverisë së tij. Në një rast, ai sugjeroi se “as me gishtat e dorës” nuk numërohen njerëzit e kabinetit qeverisës që kanë probleme me drejtësinë, duke nënvlerësuar në këtë mënyrë një listë të gjatë me skandale, nga Sajmir Tahiri, ministri i brendshëm, truprojat e të cilit u dënuan për trafik ndërkombëtar droge, te Arben Ahmetaj, zëvendëskryeministri në arrati nga akuzat për korrupsion dhe pastrim parash apo te Ilir Beqaj, aktualisht në gjykim për korrupsion dhe pastrim parash apo Erion Veliaj, person nën hetim. Këta janë gjithsesi vetëm zyrtarët më të lartë dhe vetëm ata të cilët po përballen me akuza zyrtare.
Për skandale të tjera të panumërta, nga çështja e ndryshimit të ligjeve me porosi të Samir Manes, për të cilën Meta është me masë sigurie arrest me burg, te DH Albania, kompania fantazmë që fitoi dy tenderë me dokumente të falsifikuara, kryeministri thotë se nuk ka ditur gjë dhe rrjedhimisht, nuk mund të mbajë përgjegjësi.
Cirk dhe premtime
Kryeministri Edi Rama, i cili kërkon mandat të katërt të paprecedentë, gjë që, nëse e realizon, do ta bëjë atë udhëheqësin e dytë më jetëgjatë të vendit pas Enver Hoxhës, përdori animacionet me kukulla si temë kryesore të fushatës, shkaktoi zemëratë duke shënjestruar votuesit meshkuj jombështetës të tij si “çyrykë”, (termi përshkruan me përçmim një njeri që është fizikisht i gjymtuar), si dhe si “autikë politikë”, term për të cilin kërkoi ndjesë. Në një pjesë të madhe të fushatës, cirku i tij u përqendrua në një komunikim në distancë me ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, aktualisht kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik, ndërsa një shkëmbim me një mbështetës popullor të opozitës, Ilir Vrenozi, mbushi edhe një pjesë të kohës që normalisht do të duhej të përdorej për të debatuar politika publike. Një prej kandidateve të tij, Zegjine Çaushi nga Roskoveci, u bë fenomen i medias sociale pas disa episodeve të ftesave publike për flirt me Gazmend Bardhin, një nga krerët e opozitës.
Media nga ana e saj shënoi një rekord historik me përqendrimin e raportimit zgjedhor te dy udhëheqësit, Rama dhe Berisha, Berisha dhe Rama, me ndonjë kandidat biznesmen që u shfaq herë pas here për të rrëfyer sukseset e tij të jetës, por pa ndonjë hapësirë për diskutime të tilla si shanset e barabarta, shëndetësia e mbuluar nga taksimi i përgjithshëm, shteti i së drejtës apo të drejtat themelore të njeriut. Shumica e kandidatëve, as ata të partive të mëdha dhe aq më pak, të partive të vogla, nuk patën dalje në media dhe gazetarët as nuk patën mundësi t’i pyesnin për çështje të interesit publik.
Në vend të debateve të mbështetura në argrumente të mirëinformuara e të ballafaquara, shqiptarët morën një numër premtimesh krejtësisht të pabesueshme dhe financiarisht të pamundura për t’u realizuar. Udhëheqësit kryesorë hynë në një garë se kush ofronte premtimin për pensionin më të lartë, me ofertat që variojnë nga 200 në 250 euro në muaj për pensionin minimal dhe në 400 euro në muaj për pensionin mesatar. Realizimi i këtyre premtimeve kërkon miliarda euro, të cilat vendi nuk i ka dhe as nuk pritet t’i ketë, por këto nuk ishin premtimet e vetme. Udhëheqësi i opozitës Sali Berisha e shtyu më tutje duke premtuar njëkohësisht rritje pensionesh, rritje rrogash e rritje subvencionesh, si dhe ulje taksash e tatimesh.
Në vend të debateve racionale mbi gjendjen e vendit, udhëheqësit e maxhorancës u lejuan të deklarojnë shifra krejtësisht të deformuara për të shpallur një sukses ekonomik imagjinar, pa u ballafaquar me ekspertë apo pa iu verifikuar shifrat e deklaruara me burime të pavarura, si INSTAT apo FMN. Mes argumenteve më të fryra, pretendimi për rritje të ekonomisë me 2.5 herë, e cila duket se nuk mbështetet në fakte, apo pretendimi për ulje të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, pretendim që injoron faktin që vlera nominale e PBB-së reflekton një shkallë shumë të lartë inflacioni që shqiptarët vuajtën në vitet pas pandemisë së Covid-19 dhe nuk reflekton ndonjë politikë të kujdesshme makroekonomike. Me pak fjalë, nuk është ulur borxhi publik nga 80 në 60% të PBB-së, por PBB është fryrë me një shkallë inflacioni 20% për periudhën dhjetor 2020 deri më sot, gjë që do të thotë që PBB nominale është fryrë me 20% për shkak të inflacionit dhe borxhi publik si përqindje e PBB-së detyrimisht ka reflektuar këtë inflacion.
Pabarazia, monopolet, abuzimi me të dhënat personale nga ana e korporatave, praktikat zhvatëse nga institucionet financiare të bankingut konvencional apo të mikrokreditit apo problemet praktike, si mungesa e titujve të pronësisë, parcelizimi i tejskajshëm i tokës bujqësore, çmimet e papërballueshme të banesave për mbi 132 mijë familje, këto janë disa nga temat që mbetën gjatë kësaj fushate gjerësisht të padebatuara.
Paralelisht me daljet e shpeshta televizive të dyshes Rama-Berisha, fushata duket se u përqendrua pas dyerve të mbyllura në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Shumica dërrmuese e zyrave elektorale të të gjitha partive në shumë qytete e fshatra ku BIRN trokiti, ishin praktikisht të mbyllura, me fasadë të përdorur për të vendosur posterë elektoralë.
Komunikimi me votuesit, veçanërisht nga ana e Partisë Socialiste, duket se është kryer një më një përmes rrjetit të gjerë kontrovers të patronazhistëve, militantë partie, zakonisht të punësuar në administratën publike, të cilët angazhohen për të gjurmuar çdo votues një më një.
Shenjat janë të qarta se kjo formë masive e klientelizmit politik përdor aksesin në burimet shtetërore, nga pagat dhe punësimet, te ndihma ekonomike apo të drejtat ligjore të pronësisë e legalizimit, për një ushtrim të kombinuar të ryshfetit me kërcënime, gjë që qartazi e ka vrarë politikën siç politika duhet të jetë, e mbështetur te idetë dhe jo te mekanizmat e shtrëngimit. “E kanë kapur” është një shprehje që po përdoret gjithnjë e më shpesh mes menaxherëve të fushatave të të dy krahëve për të treguar një votues, i cili nuk ushtron dot bindjen e vet politike, por e hedh votën si pasojë e kushtëzimit të vendosur nga partia, qoftë ky kushtëzim një vend pune për vete apo për një të afërm, një kërcënim për të humbur një vend pune për vete apo një të afërm, e të tjera si këto.
Ndërsa shqiptarët po mendohen edhe një herë se për kë të votojnë të dielën, fakti është që ata dukshëm po shkojnë për të votuar, në shumicën e rasteve, pa pasur mundësinë të dëgjojnë qoftë edhe një herë kandidatin apo kandidaten që do të votojnë, pa e ditur se çfarë mendimesh ka kandidati apo kandidatja për çështje që atë e shqetësojnë, nga çështjet praktike të menaxhimit të buxhetit të shtetit te perspektiva afatgjatë e zhvillimit të vendit apo te sensitetet globale, fjala vjen, Lufta në Gaza apo përballja e Perëndimit me Rusinë.
Gjasat janë që, në kushtet e mungesës së një mjedisi informativ të shëndetshëm, zgjedhja që qytetarët do të bëjnë, do të jetë një zgjedhje e njerëzve të painformuar. Demokracia dhe zgjedhjet e lira e të ndershme janë krejt e kundërta e kësaj./ BIRN