Vota e diasporës nga Greqia ka ngritur alarmin tek partitë politike. Kryeministri Rama bëri thirrje sot që shqiptarët që ndodhen në Greqi të plotësojnë dhe kthejnë zarfet. Kurse drejtuesja politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli ka deklaruar se vota e diasporës në Greqi po manipulohet. Topalli i ka kërkuar KQZ dhe SPAK të verifikojnë dhe të nisin hetimet për këtë krim zgjedhor.
“Posta DHL ka bërë një nënkontraktim me të tjerë që nuk funksionon sipas ligjit dhe në kundërshtim me detyrimet ligjore. Ditët e fundit ka një thyerje të normave ligjore dhe Kodit Zgjedhor në shumë vende të Greqisë. Kemi raste kur jo vetëm nuk dorëzohen më zarfet në shtëpi në mënyrë individuale por i çojnë email, i thonë të vijnë në pika më të afërta, që është një zyrë e lojrave të fatit ku shkojnë të marrin zarfin. Qytetarët nisen për të marrë zarfin dhe ato nuk e gjejnë më zarfin, por i thonë se zarfi nuk është këtu, pavarësisht se ata nuk e kanë marrë.
Në Itali një zonjë që punon në ambasadën shqiptare në Romë shkon e mbledh zarfe dhe dorëzon në mënyrë antiligjore. Kjo quhet Marjeta Mikeli. Është e pabesueshme. E kanë bërë dhe gjatë regjistrimit. kanë kaluar cdo masë. Por nëse në Itali është më e kufizuar, ajo që po ndodh në Greqi është në të gjithë territorin e shtetit grek. Shqetësimi është jashtëzakonisht i madh. Kemi informacion kur marrin makina me qira nga Shqipëri dhe i çojnë në Greqi për të mbledhur votat. Kemi rastin kur ish kryetari i komunës së Carcovës, zyrtar në bashkinë e Përmetit, i japin një shumë financiare dhe më pas ia plotëson vetë shqiptarëve fletën e votimit. E ka emrin Veli Mehmeti. Nuk është fenomen sporadik por është kthyer në normalitet. Njerëzit e PS janë kthyer si zyra të DHL,” tha Topalli.









