Gazment Bardhi deputeti i Partisë Demokratike ka denoncuar ministren e Transporteve, Belinda Balluku, duke e akuzuar për lehtësimin e trafikut të drogës përmes Portit të Durrësit. Në një reagim të fortë, ai theksoi se “faktet lidhen”, duke bërë të ditur se Balluku dhe kryeministri Edi Rama janë të përfshirë në një skandal ndërkombëtar që ka të bëjë me trafikun e drogës në Europë.
Bardhi, duke publikuar një artikull nga mediat ndërkombëtare, shkruan se “Mediat e huaja dhe ekspertët ndërkombëtarë kanë nisur të hetojnë rolin e Ministres së Transporteve Belinda Ballukut në lehtësimin e trafikut të drogës përmes Portit të Durrësit, ku, në mënyrë të dyshimtë, konçesionari gjerman u zëvendësua papritur me një kompani kroate, e dyshuar për lidhje në trafikun ndërkombëtar të drogës me Amerikën Latine.”
Ai gjithashtu paralajmëroi se rrjeti i përfshirjes së Portit të Durrësit në këtë skandal nuk do të mbijetojë shumë gjatë, duke thënë: “Rrjeta e pistë e përfshirjes së Portit të Durrësit në trafikun ndërkombëtar të drogës, me autorë Belinda Ballukun dhe Edi Ramën, s’i ka ditët e gjata.”
Në fund, Bardhi nuk i kurseu as komentet për të ardhmen e përgjegjësisë për këtë çështje, duke paralajmëruar se “kur të vijë dita, burgu i Pojskës nuk do të mjaftojë” për ata që janë të përfshirë.
/5pyetjet.al