Tension në Dibër. Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Dibër Xhelal Mziu dhe kandidati për deputet Xhemal Gjunkshi, kanë denoncuar një rast të shtënash me armë zjarri.
Sipas tyre, dyshohej se personi që qëlloi shpërndante para në këmbim të votave, e kur është konstatuar nga demokratët, teksa u largua ka qëlluar një herë me armë zjarri në ajër.
“Rreth orës 20.25 shtetasi Xh.Gj., (kanditat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili pretendonte se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kanë ndaluar një shtetas që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave.
Gjithashtu shtetasi Xh.Gj., paraprakisht ka pretenduar se një person teksa është larguar ka qëlluar njëherë me armë zjarri në ajër. Menjëherë është ngritur grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e Spak dhe të Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër po kryejnë hetimet për zbardhjen e rastit” njofton policia.